
TIRANË- Kur kanë kaluar më pak se 48 orë nga vrasja me snajper e Gëzim Sinomatit, i gjithë shteti është ngritur në këmbë në Vlorë, por tepër vonë për shkak se autorët që dyshohet se kanë qenë vrasës profesionist kanë humbur pa gjurmë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku prej 24 orësh ndodhet në komisariatin e Vlorës, ku dhe është ngritur një grup i posaçëm për këtë ngjarje, ndërkohë që po happen të gjitha dosjet e vjetra të grupeve kriminale. Forca të shumta policie kanë marrë pjesë dhe në shoqërimin e babait të Gëzim Sinomatit, Sokolit, për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të djalit të tij 22-vjeçar.
Burime bëjnë me dije se blutë e Vlorës kanë kontrolluar dhjetëra banesa dhe rezidenca në Vlorë dhe Selenicë të eksponentëve kryesorë të njohur si kundërshtar të Sinomatit ndër vite.
Mbi 20 persona janë shoqëruar aktualisht, por deri më tani asnjë urdhër ndalimi nuk është konfirmuar nga policia. Ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe punonjës të OSHEE-së, për shkak se në lagjen ku ndodhi vrasja, nuk ka pasur ndriçim në rrugë, ditën e ekzekutimit.
Sa i takon ekspertizës së gëzhojës që u gjet në vendngjarje dhe në trupin e viktimës, ajo ka qenë e kalibrit 7 mm dhe precizion deri në 1 mijë metra. Pista kryesore për vrasjen është ajo e hakmarrjes, ndërsa gjatë viteve të fundit “Banda e Belgjikës”, numëron 6 anëtarë të zhdukur dhe 4 të vrarë, përfshirë Gëzim Sinomatin./ZËRI