TIRANË- Kur të gjithë "sytë" ishin nga Rrësheni, as 24 orë më vonë vendi u trondit sërish. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një person u vra në një atentat me armë në Katund të Sukthit pranë shinave të trenit, ndërsa një tjetër u plagos. Toni alias Fatjon Dervishi, 38 vjeç, u qëllua me dy plumba, kur po udhëtonte në një makinë tip “Audi” bashkë me një person tjetër, i identifikuar si E. Sh., banor të zonës, i cili mbijetoi. Dhe tani po flet për hetuesit. Ndërkohë që kanë nisur kërkimet për autorët që janë zhdukur pa lënë gjurmë pas dhe ende as nuk janë identifikuar. Policia thotë se 7 persona janë shoqëruar, mes tyre edhe pasagjeri që ishte në mjet me viktimën.
SI NDODHI NGJARJA?
Në të gdhirë të ditës së sotme, Dervishi po udhëtonte me një mikun e tij në zonën Katund të Sukthit. Kur pikërisht në momentin që ka qenë tek shinat e trenit dhe ka ulur shpejtësinë e mjetit për të kaluar mbi to, është qëlluar me armë zjarri. Ka dyshime se kanë qenë 2 persona ata që kanë shkrepur armët mbi të, ndërsa një i tretë i ka ndihmuar që të largohen nga vendi i ngjarjes duke lënë pas një viktimë dhe të plagosurin. Ai është i vetmi që mund të japë detaje për identitetin e tyre, por historia ka treguar që në raste të ngjashme, goja është mbajtur e mbyllur. Pasi kanë "mbyllur punë", autorët kanë marrë një rrugë dytësore për t'u larguar nga vendi i ngjarjes. Për të rënë në gjurmët e tyre, Policia ka marrë dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë me pamje nga aksi ‘Maminas-Shijak-Sukth-Sallmone’, e po ashtu janë kontrolluar edhe disa banesa. Por ende asgjë.
JETA E VIKTIMËS
38-vjeçari Fatjon Dervishi nuk ishte i panjohur as për zonën dhe as për Policinë e Shtetit. Viktima rezulton nën hetim në shtetin e Holandës për trafik të lëndëve narkotike. Madje një prej vëllezërve e kishte të dënuar në burg për drogë. I afërmi i tij, Arben Meta tregon se 38-vjeçari nuk njihej për njeri konfliktual dhe se jetën e tij e kalonte mes Gjermanisë e Shqipërisë.
“Çun me nam. Punonte në Gjermani, vinte në Shqipëri, ikte prap. Ka qenë çun i urtë. Nëna ime e ka çun daje. Mbrëmë unë isha në punë por dëgjuam krismat. Pasta lashë punën. Fatjoni ishte i martuar dhe kishte 2 kalamaj. I ka jashtë. Në Shqipëri jetonte vetëm me babain ndërsa nëna i ka vdekur. Në Gjermani nuk e di me çfarë merrej. Mbrëmë kishte qënë tek një lokal në Sukth dhe erdhi nga atje. Nuk di të ketë patur konflikt me njeri,”-është shprehur kushëriri i 38-vjeçarit Arben Meta.
Dervishi ishte i martuar në Gjermani me një shtetase Rumune, ndërsa në vend kishte pak kohë që ishte kthyer për të hapur një aktivitet të vetin ndërkohë në banesën në Sukth jetonte vetëm me babain. Por jetën e ndante mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, në 2 vendet ku e kishte të ndarë familjen.
DËSHMIA E TË PLAGOSURIT
E. Sh., ndodhej në një automjet bashkë me viktimën, por vetë shpëtoi! Por megjithatë nuk ka shumë për të thënë lidhur me ngjarjen.
“Ishim në një lokal me disa miq të zonës. Pas orës 12 të natës, kur po ktheheshim në shtëpi, aty ku po ndërtohen shinat e trenit, na qëlluan me breshëri automatiku. Fatjoni mori disa plagë, kurse unë për fat të mirë nuk u lëndova. Menjëherë lajmërova njerëzit tanë dhe e çuam në spital, por fatkeqësisht vdiq, sepse kishte humbur shumë gjak. Nuk arrita të dalloja kush qëlloi, pasi na kapën në befasi, vetëm kur u gjendëm në breshëri automatiku. Unë nuk kam konflikte me askënd dhe në dijeninë time as Fatjoni nuk kishte,”-bëri me dije ai.
PISTAT E VRASJES
Aktualisht, 2 janë pistat kryesore në të cilat janë përqendruar hetimet. Njëra prej tyre është ajo e hakmarrjes, ndërsa tjetra ka të bëjë me një biznes që viktima ka në Gjermani dhe akuzat e tij lidhur me përfshirjen në botën e krimit. Ndonëse vetë nuk ka precedentë të mëparshëm penalë, 2 vëllezërit dhe i ati i viktimës janë emra të njohur nga Policia e Shtetit.
Njëri nga vëllezërit po vuan dënimin në një burg të Spanjës, pasi rezulton i përfshirë në tregti të lëndëve narkotike, ndërsa i ati, Ramazan Dervishi, është prangosur më herët për armëmbajtje pa leje. Vëllai tjetër, Fatbardh Dervishi, me mbiemër të ndryshuar Doda, në janar të vitit 2022 ka plagosur me pistoletë një vajzë në një hotel në Durrës. Por gjithashtu nuk përjashtohet mundësia, edhe pse ka shanse të pakta, që vrasja të ketë ndodhur pas një konflikti të ditëve të fundit. Kjo është vrasja e dytë e shënuar në vend pa kaluar 24 orë. Dje, paradite, u qëllua për vdekje 59-vjeçari Martin (Marku) Bardhi, ndërsa tre persona të tjerë (mes tyre dhe nipi i viktimës) u plagosën. As për këtë ngjarje, nuk ka autorë./Zëri.ai