
ITALI – Shtetasi nga Guinea, Safayou Sow u dënua me burg përjetë për vrasjen e shqiptares Danjela Neza. E reja u vra natën mes 5 dhe 6 majit 2023 në kopshtet e Piazza delle Nazioni në Savona.
I riu qëlloi për vdekje në kokë Danjela Nezën, 29 vjeçe, majin e kaluar. Të dy kishin debatuar për një kohë të gjatë, derisa Safayou Sow shkoi te makina e tij, mori një pistoletë gjysmë automatike të kalibrit 22 dhe qëlloi ndaj të resë. Më pas ai telefonoi 112-tën. Marrëdhënia mes të dyve filloi në maj 2022, e në fund të vitit 2022 Sow fillon të dyshojë në besnikërinë e Danjelës dhe të vijojë të ketë sjellje persekutues. Ai e kishte shantazhuar vajzën. Të dy punonin në Club Nautico, ai si kuzhinier dhe ajo si kamariere.
Më 5 maj, Neza mësoi nga pronarët e restorantit se do të mund të kthehej në punë (pas pushimeve të detyruara) dhe po atë mbrëmje Sow i kërkoi asaj që të takoheshin. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se 27-vjeçari kishte marrë armën me numër serie të gërvishtur, të cilën e kishte në bagazhin e makinës së tij atë mbrëmje, në mes të marsit, duke paguar 2500 euro për të.
Dënimi është dhënë pasditen e sotme nga kryetarja e Gjykatës Fiorenza Giorgi. Sow u dënua edhe me dëmshpërblim prej 418 mijë euro (318 mijë euro për nënën dhe 100 mijë euro për vëllain). U urdhërua sekuestrimi i makinës që ai përdori në krimin e rëndë.
Gjykata ka dhënë dënim më të lartë se ai i kërkuar nga prokurori publik Luca Traversa gjatë aktakuzës (30 vjet burgim). Avokati i autorit tha se vendimi do të apelohet./Italy24 -ZËRI/