
KRUJË – Banorët në Krujë kanë vijuar gjatë ditës së sotme me protesta në aksin rrugor që lidh Thumanën me Kasharin. Ata kanë bllokuar qarkullimin në rrugë dhe janë ulur në tokë, teksa i kanë bërë thirrje edhe policisë, që të bashkohet në këtë demonstratë. Banorët kanë deklaruar se protesta nuk është politike. Ata shprehen se kërkojnë hyrje në autostradë.
“Jemi banorë të Krujës, paguajmë taksat. Policia nga taksat tona mbahet. Ka të drejtë të na mbrojë, jo të na shkelë, të na shtypë. Kjo është një e drejtë që na takon. Rruga është, paguajmë me taksat tona dhe po kërkojnë që të na e mbyllin. Nuk kërkojmë hapje rruge zotëri. Bëj rrugë të reja, qarkullo, bëj rrugë private si gjithë bota. Rrugë me pagesë ka vetëm veriu, se jugu nuk paguan, nga Durrësi deri në Vlorë, se është pasha Edi Rama në Vlorë”, tha protestuesi.
Në këtë protestë foli edhe kryetari i PD-së të degës së Krujës, Xhevahir Sali Bilja. Ai tha se banorët nuk mund të bllokohen.
“Segmenti Thumanë-Kashar ka bllokuar me qindra banorë, në këtë aks. Banorët kërkojnë vetëm hyrje-dalje dhe është kërkesë shumë e drejtë. Nuk mund të izolohen banorët e Thumanës, Fushë-Krujës, Krujës, Niklës, Bubqit, të gjitha zonat, kjo është e padrejtë. I bëjmë thirrje kryeministrit Edi Rama të marrë masa menjëherë dhe të hapë rrugën. Banorët e kësaj zone nuk po kërkojnë punësim. Mirë që banorët nuk kërkojnë punësim, por Rama po ua mbyll të gjitha bizneset. Protestuesit do jenë qëndrestarë deri në gjetjen e zgjidhjes”, tha ai.
Protestuesit mbanin në duar edhe pankarta të ndryshme si “Rrugën nuk na e ka mbyllur Serbia, po na e mbyll qeveria”, “Duam rrugë, duam jetë”, etj. Banorët kanë dalë disa herë në protesta. Ata kërkojnë që të ndërtohen nënkalime dhe mbikalime, në mënyrë që jetesa e tyre të vijojë normalisht. Ata u shprehën se firma që ka nisur punimet, duhet që të rindërtojë rrugën dhe ta kthejë në gjendjen e mëparshme./ZËRI/