
TIRANË- Vrasja e Behar Sofisë është duke u shqyrtuar edhe sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancën e sotme, është thirrur për të dhënë dëshmi bashkëshortja e Skënder Vathit, Ardjana. Në dëshminë e saj, kjo e fundit ka pohuar se viktima u vëzhgua për 6 muaj, derisa u qëllua për vdekje pranë zonës së Piramidës në Tiranë.
Sot, u morën në pyetje edhe stafi i lokalit ku pinte kafen Behar Sofia, që gjithashtu kanë dëshmuar në procesin gjyqësor në ngarkim të Jemin Sherës, i njohur me pseudonimin “Bajlozi”. Tre dëshmitarët, mes tyre dhe pronarja e lokalit E. Banaj, theksuan në sallën e gjyqit se e nuk e njihnin biznesmenin, edhe pse ai e frekuentonte shpesh biznesin e tyre, duke qenë se e kishte biznesin e tij pranë zonës së Piramidës.
Në seancën e radhës, SPAK ka kërkuar që të dëshmojë Marsel Pirra, i cili nuk është gjetur ende dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Ernejt Shyti.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dënoi më 24 janar me 127 vite burg në total pesë të akuzuarit për vrasjen e Behar Sofisë në vitin 2021. Togat e zeza të GJKKO kanë dënuar me 7 vjet burgim Ernejt Shytin, të penduarin e drejtësisë. Ndërsa Bujar Leza, Xhuliano Visha dhe Skënder Vathi nga 30 vite burg.
Behar Sofia, i cili njihet dhe si "padron i drogës" u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në Tiranë më datë 25 shkurt 2021. Sofia njihej edhe si eksponent i botës së krimit, pasi ka qenë i arrestuar në vitin 1998 në Turqi për trafik droge. Ai u qëllua me pistoletë selenciator pranë ish-Piramidës. Sofia u ndoq nga pas nga Ernejt Shyti për disa metra derisa dhe e ekzekutoi/ZËRI