Aktualitet

Ekstradohet në Shqipëri killeri i Nikulajt, momenti kur zbret në Rinas i veshur sportiv, 'blindohet' zona

Marrja në pyetje e Ruben Saraivës pritet të hedhë më shumë dritë mbi vrasjen e biznesmenit, që dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje

E.K
Ekstradohet në Shqipëri killeri i Nikulajt, momenti kur zbret në
Ruben Saraiva

TIRANË- Ka mbërritur sot në Shqipëri, Ruben Saraiva, i cili dyshohet se është personi që ekzekutoi në Shëngjin biznesmenin Ardian Nikulaj. Portugezi ishte arrestuar në muajin Maj në Marok, dhe vetëm tashmë iu hap rruga ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzën e vrasjes. Gjatë mbërritjes në Rinas, ai është shoqëruar nga një skuadër e posacme e policisë shqiptare.

Siç shihet dhe nga pamjet, Saraiva është pritur në Rinas nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga efektivët e INTERPOL.

Lidhur me ekstradimin e tij ka reaguar dhe ministri i brendshëm Taulant Balla, i cili falenderon ekipin RENEA që brenda këtij viti kanë kryer në total 78 ekstradime drejt Shqipërisë.

"Falë mbështetjes së fortë të Interpol me të cilët po punojmë çdo ditë për gjetjen e personave në kërkim si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të Marokut, sapo u përmbyll në Aeroportin “Nënë Tereza” ekstradimi i shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë. Realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera. Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA për realizimin e 78 ekstradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot. Pres më shumë në Vitin e Ri 2024”, shkruan Balla në postimin e tij.

Marrja në pyetje e portugezit Saraiva shihet me shumë vlerë për hetimet e prokurorisë, pasi personat e tjerë të arrestuar në Britaninë e Madhe, deri tani nuk janë ekstraduar drejt Shqipërisë. Porositës për vrasjen e Nikulajt dyshohet të jetë Edmond Haxhia, i cili prej vitesh jeton në Britaninë e Madhe.

Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot.

Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.

Si ndodhi vrasja?

Ardian Nikulaj u ekzekutua në datën 19 prill të këtij viti, në ambientet e lokalit të tij në zonën e plazhit në Shëngjin. Autori, mbante një maskë kirurgjikale, skafandër dhe jelek fosforeshent, duke iu referuar pamjeve të rënda që u transmetuan asokohe në media. Ardian Nikulaj ishte biznesmen në Lezhë, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021-shit dhe kandidat për Këshill Bashkiak në zgjedhjet e 14 majit. Pista kryesore për vrasjes mbetet ajo e hakmarrjes, mes Nikulajt dhe vëllezërve Haxhia, të cilët prej vitesh ndodhen në Britaninë e Madhe./ZËRI

Poll

MOS HUMB