
BRITANI E MADHE- Procesi për ekstradimin nga Anglia të Edmond Haxhisë, bashkë me katër britanikët e tjerë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulajt vijon. Së fundmi palët kanë dorëzuar komentet finale. Në një dokument të siguruar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, shteti shqiptar i cili përfaqësohet prej dy juristëve në fushën e ekstradimeve Peter Caldwell dhe David Ball, ka analizuar se pse duhet të japë dritën jeshile Gjykata e Londrës për ekstradimin e Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.

"Kreu prokurorisë Erjon Shehaj ka sjellë ekzaktësisht këtë lloj garancie, kur thotë se ata nuk do të dënohen në bazë të nenit për gjakmarrje por për një nen tjetër, dënimi të cilit parashikon lirim më të hershëm me shërbim prove. Nuk është vetëm ky prokuror i cili ka lëshuar këtë garanci. Ministri Drejtësisë Ulsi Manja ka shprehur dhe ka aprovuar këtë pozicion të prokurorisë Lezhë”,-thuhet në dokument.
Pala e mbrojtjes në këtë proces ka sjellë si argument mos-respektimin e të tilla garancive nga shtetit shqiptar siç ishte rasti të ekstraduarit nga Britania e Madhe, vrasësit të dyfishtë Artan Muça. Përfaqësuesit e shtetit shqiptar e hedhin poshtë këtë argument.
“Profesor Ledi Bianku në dëshminë e tij tha se nuk kishte informacion për thyerje të garancisë në raste të tjera përveç rastit të Artan Muçës. E kështu mund të themi se ky është një rast i izoluar, një pasojë specifike e cila është sqaruar e nuk do të përsëritet në burgun e Peqinit. Ky ishte një rast i izoluar. Nuk ka prova për thyerje sistematike të letër garancive gjë e cila është pranuar edhe nga profesor Bianku”.
Mbrojtja e Harriet Bridgeman ka paraqitur shqetësimin nëse ajo ekstradohet do të ketë vështirësi komunikimi në burg.
“Nëse zonjusha Bridgeman do të ekstradohet ajo do të përfitojë mundësinë e qëndrimit në një burg të ri atë të Pojskës në Pogradec hapur javën e parë të Korrikut. Është një ambient modern dhe padyshim nuk ka një dytë kaq modern”.
Përfaqësuesit e shtetit shqiptarë Peter Caldwell dhe David Ball i propozojnë gjykatës, ta pranojnë kërkesën e ekstradimit dhe dërguar atë për firmën e sekretares së shtetit për punën e brendshme e cila do të vendosë, nëse ata duhet të ekstradohen bazuar në nenin 87/3 të aktit britanik të ekstradimeve 2003.
Ndërkohë portugezi Ruben Saraiva me nënshtetësi portugeze dhe rezidencë Angli dyshohet se është ekzekutori Nikulajat. Ai u ekstradua nga Maroku në Shqipëri fund-vitin e shkuar. Shteti shqiptarë do ta mësojë vendimin e gjykatës së Londrës nëse do të jetë në favor apo jo të ekstradimit të tyre. Edhe nëse vendimi do të jetë pro ekstradimit të katër britanikëve dhe shqiptarit Edmond Haxhia, beteja ligjore do të zhvendoset në Gjykatën e Apelit. Të kërkuarit e kësaj dosje nuk do të jenë në dispozicion të drejtësisë shqiptare deri në fund të këtij viti.
Vrasja e Ardian Nikulajt
Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj. Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend./ZËRI