
GRAMSH- Është dërguar për gjykim dosja për katër të miturit, të cilët në muajin maj të këtij viti, vranë me thikë bashkëmoshatarin e tyre. Mësohet se dosja është pranuar nga gjykata me të gjitha akuzat që ka kërkuar Prokuroria.
Pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes që jo të gjithë të miturit të gjykohen për "vrasja në rrethana cilësuese në bashkëpunim", kërkesa është refuzuar dhe gjykimi vijon me të njëjtën akuzë për të katër të akuzuarit.
Në gjykatë ishin të pranishëm edhe familjarët e të akuzuarve dhe nëna e viktimës.
Të arrestuarit për vrasjen e kryer në bashkëpunim Ergi Karaj, Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi, kërkuan një ndryshim të masës së sigurisë, nga masa burgim në masa lehtësuese, në korrik të këtij viti, por Gjykata e rrëzoi kërkesën e tyre.
Ngjarja e rëndë u shënua vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur.
/ZËRI