
TIRANË-Agron Tufa autori i vrasjes së Kejsi Hysës është ekstraduar nga Italia. Tufa ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Tufa është dënuar në mungesë në vitin 2021. 52-vjeçari u arrestua në Bari, në janar të këtij viti. Në lidhje me vrasjen e të riut në Nikël, është vetëdorëzuar më herët në polici dhe i dyshuari tjetër, Hysni Ramaj. Masakrimi i Kejsi Hysës dhe fshehja e kufomës në afërsi të Niklës ndodhi për shkak të pazareve të kanabisit.
Njoftimi i Policisë:
Ekstradohet nga Italia, shtetasi Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstradua nga Italia në Shqipëri, shtetasi Agron Tufa, 52 vjeç, banues në Nikël. Ky shtetas u kap në Bari, Itali, në muajin janar 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.
Vrasja e Kejsi Hysës
Kejsi Hysa u ekzekutua në korrik të vitit 2018. Ai njihej në Krujë si fajdexhi, pasi jepte borxh në kërkim të interesit. 34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, dhe ishte në kërkim, qëndronte i lirë në këtë zonë në Krujë që sipas Prokurorisë ai kryente aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”.
Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij. Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qenë e suksesshme, dhe lënda narkotike ishte 'zhdukur'. Fill pas kësaj ai i ka kërkuar llogari Agron Tufës dhe Ramajt, të cilët më pas e kanë vrarë, duke tentuar që t’i fshehin dhe kufomën. Agron Tufa së bashku me Hysni Ramën kanë ekzekutuar me armë zjarri 34-vjeçarin Kejsi Hysa dhe më pas i kanë djegur trupin viktimës. Trupi i 34-vjeçarit,Kejsi Hysa, u gjet pas disa ditës i groposur në një parcelë, pranë lumit në Nikël./ZËRI