
DURRËS- Shënavlashi dhe mbarë opinion publik u trondit këtë të premte nga krimi brenda familjes, ku 19-vjeçarja Hygerta Meta dyshohet se ka vrarë babanë e saj Pëllumb Meta, pas një konflikti që ka pasur me të, për shkak të një fejese që ajo nuk e donte. 50-vjeçari është deklaruar i zhdukur nga familja, ndërkohë që roli i tyre është duke u hetuar nga policia, nëse kanë ndihmuar të renë në vrasjen dhe fshehjen e trupit të babait të saj.
Skenari i fshehjes së krimit, duket se ka qenë ‘perfekt’ pork a zgjatur shumë pak, pasi policia ka rënë në gjurmët e sinjalit të celularit të Pëllumb Metës. Ai pulsonte pikërisht pranë banesës, dhe për këtë nisën menjëherë hetimet për një krim të mundshëm në familje. Për të fshehur gjurmët, Hygerta Meta pretendon se e kishte çuar makinën e të atit pranë sektorit Rinia një Durrës, në mënyrë që të dukej se ai ishte zhdukur, dhe jo vrarë pikërisht në banesë.
Denoncimi për zhdukje e tij u bë nga djali 25-vjeçar i familjes, i cili nuk dihet ende nëse ka qenë apo jo në dijeni të krimit që kishte kryer e motra. Policia ka marrë në pyetje nënën dhe dy vëllezërit e Hygertës, për të kuptuar nëse ata kanë pasur gisht në këtë ngjarje. Vetë e reja pretendon se e ka kryer krimin e vetme, por sipas policisë dhe prokurorisë, një gjë e tillë është e pamundur, edhe për shkak të fizikut dhe mënyrës se si është bërë fshehja e trupit.
Familja ka vijuar aktivitetin normal, dhe vajza ka vijuar jetën me një qetësi maksimale pa dhënë përshtypjen se në familjen e tyre kishte ndodhur një krim. /ZËRI