Aktualitet

Vota e diasporës, nga Ishujt Karaibe e deri tek Gaboni, cilat janë vendet nga ku shqiptarët kanë kërkuar të votojnë

Po në Karaibe janë marrë 38 kërkesa nga shqiptarët që jetojnë në Ishujt e Virgjër Britanikë.

I.F
Vota e diasporës, nga Ishujt Karaibe e deri tek Gaboni, cilat janë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Këtë vit emigrantët shqiptarë do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Deri më tani mbi 66 mijë persona janë regjistruar në platformë, por vetëm 41 mijë prej tyre janë miratuar nga KQz. Në krye të listës së vendeve, ku shqiptarët kanë shfaqur më shumë interes është Italia dhe Greqia, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja, dhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Interes është shfaqur edhe nga Australia nga deri tani janë marrë 90 kërkesa për të votuar. Por, përveç këtyre disa vende të tjera që bien në sy për aplikime janë nga ishulli i Anguilas në Karaibe, nga ku janë marrë 49 kërkesa në KQZ. Po në Karaibe janë marrë 38 kërkesa nga shqiptarët që jetojnë në Ishujt e Virgjër Britanikë.

46 kërkesa të tjera për të votuar janë regjistruar nga ishulli i Shën Helenës, i cili ndodhet në mes të pjesës jugore të oqeanit Atlantik, midis Brazilit dhe Afrikës Perëndimore. Nga ana tjetër, interesimi ka qenë prezent edhe në Rusi e Ukrainë, pavarësisht se dy vendet e Evropës Lindore janë pjesë e një konflikti të armatosur thuajse 3-vjeçar. Nga Rusia janë regjistruar 5 kërkesa, ndërsa nga Ukraina vetëm një. Dhjetëra kërkesa janë regjistruar në Lindjen e Mesme, ku konkretisht llogariten 36 aplikime nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga 10 nga Katari dhe Kuvajti, 8 nga Arabia Saudite dhe nga Izraeli, 3 nga Egjipti dhe Afganistani dhe 1 nga Bahreini.

Edhe pse të pakta aplikimet nuk kanë munguar as nga Afrika apo Azia, deri më tani janë marrë 10 aplikime nga Kina, 8 nga Japonia, 7 nga Zelanda e Re dhe 2 nga Koreja e Jugut. Sa i përket kontinentit afrikan aplikime janë marrë nga Algjeria, Afrika e Jugut, Angola, Zambia, Kongo e Gaboni. Një tjetër kontinent ku interesi i shfaqur, edhe pse në nivele të ulëta ka qenë edhe në Amerikën Latine. Shqiptarët që kanë aplikuar për të votuar ndodhen në shtete si Kolumbia, Argjentina, Brazili dhe Kili. Vende të tjera që mund të përmenden, nga ku shqiptarët kanë shfaqur interes zgjedhor janë India, Kazakistani, Taxhikistani, Tajlanda, Bangladeshi, Mongolia, Vietnami, Filipinet apo Madagaskari. Aplikimet për votuesit nga diaspora do të jenë të hapura deri më datën 4 mars 2025, dhe secili që refuzohet, deri në këtë datë, ka të drejtë ta provojë përsëri.

Pothuajse 2 javë pas hapjes së Platformës Elektronike të Regjistrimit janë paraqitur paraqitur 66 mijë kërkesa, nga të cilat janë pranuar vetëm 41 mijë të tilla, dhe janë refuzuar 24 mijë aplikime. Deri më tani 1/3 e emigrantëve shqiptarë nuk është regjistruar.

Për t'u regjistruar duhet të futen në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI

Poll

MOS HUMB