
KRUJË- Policia e Krujës ka vënë në pranga dy vëllezër nga Vlora, pasi akuzohen se janë grabitësit e një shtëpie në Krujë. Të dy vëllezërit, të identifikuar me inicialet si: S. D., 30 vjeç, dhe S. D., 21 vjeç, kanë grabitur 55 000 euro dhe aksesorë floriri. Siç duket nga pamjet e shpërndara nga Policia, të dy janë arrestuar në rrugë, teksa po udhëtonin me mjetin e tyre, me shumë gjasa duke tentuar të largohen nga Kruja.
NJOFTIMI I POLICISË:
Krujë/Vodhën shumën 55 000 euro dhe aksesorë floriri në një banesë, arrestohen dy vëllezërit. Finalizohet operacioni policor i koduar "Survejimi", nga Komisariati i Policisë Krujë në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale në DVP Tiranë dhe DVP Vlorë. Sekuestrohen aksesorë floriri të dyshuar të vjedhur, dhe një automjet.
Specialistët për Hetim e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me me Seksionin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale në DVP Tiranë dhe DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Survejimi".
Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit S. D., 30 vjeç, dhe S. D., 21 vjeç, (vëllezër), banues në Vlorë, për veprën penale "Vjedhja" kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Dy vëllezërit dyshohet se me datë 21.07.2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në një banesë në Fushë-Krujë, shumën 55 000 euro, dhe aksesorë të ndryshëm floriri. Materialet i kaluan Prokurorisë./ZËRI