Aktualitet

Vilë, 4 makina luksoze dhe 600 mijë euro cash! Sekuestrohen pasuritë e trafikantit shqiptar

Dedja ka qenë pjesë e një organizate kriminale, e cila drejtohej nga Ilir Koçiaj ndërsa krahu i tij i djathtë është Xhiliano Xhoxhi

E.K
Vilë, 4 makina luksoze dhe 600 mijë euro cash! Sekuestrohen
pamje nga sekuestrimi i viles

ITALI- Prokuroria në Itali ka sekuestruar pasurinë shtetasit shqiptar Geront Dedja, i dënuar për trafik ndëkombërar droge, si dhe ndihmë për kalimin e emigrantëve të paligjshëm. Pasuria që është vënë nën sekuestro përfshin një vilë, 4 makina luksoze si dhe 600 mijë euro cash.

Hetuesit e Seksionit Antikrim të Komisariatit të Torinos ishin ata që ekzekutuan masën e sekuestros, në të gjitha pronat e trafikantit shqiptar, përfshirë edhe një kompani ndërtimi, dhe llogaritë rrjedhëse në banka.

Në fillim të viteve 2000, pas një hetimi të skuadrës Turin Mobile të drejtuar nga Luigi Mitola, trafikanti shqiptar i drogës u arrestua me akuzën e grupit kriminal që synonte të ndihmonte emigracionin e paligjshëm drejt Italisë.

Në vitin 2002 ai u dënua për atë krim dhe, midis 2003 dhe 2004, edhe për trafik ndërkombëtar droge, së bashku me bashkatdhetarët e tjerë. Tani gjykata ka urdhëruar sekuestrimin me qëllim të konfiskimit të pasurisë së tij.

POTER-AL

Dedja ka qenë pjesë e një organizate kriminale, e cila drejtohej nga Ilir Koçiaj ndërsa krahu i tij i djathtë është Xhiliano Xhoxhi. Të dy këta persona kanë mundur që të ngrenë një rrjet të tërë të trafikut të narkotikëve në të paktën gjashtë shtete të ndryshme të botës.

Me rekrutimin e anëtarëve të organizatës janë marrë pikërisht dy krerët e saj, Koçiaj dhe Xhoxhi. Nga hetimi është zbuluar se në disa raste anëtarët e organizatës nuk njiheshin fare me njëri-tjetrin. Njohja e tyre e përbashkët ishte kreu Ilir Koçiaj. Mes tyre ishte edhe Ervin Tavanxhi, nga Elbasani, djali i ish- deputetit, Vangjel Tavanxhi.

Kryesisht aktiviteti i organizatës është zhvilluar në Itali, ndërsa droga merrej në Holandë dhe më pas shpërndahej në Itali, Francë si dhe Gjermani. Në një rast është tentuar trafikimi edhe në Greqi. Më herët është raportuar se heroina vinte nga Turqia dhe përfundonte në Itali.

Prokuroria shqiptare ka mundur që t’i sekuestrojë kësaj organizate 73.000 euro, 29.000 dollarë amerikanë si dhe një milion lekë të reja. Hetimet e kryera në Itali për këtë organizatë kriminale kanë sjellë sekuestrimin e sasive të ndryshme të tyre të lëndëve narkotike, të cilat arrijnë në 22,240 kg kokainë dhe 20,032 kg heroinë për periudhën fillim i vitit 2003 deri në fillim të vitit 2004. Një pjesë e grupit Poter-al ra në pranga më 23 maj të vitit 2006 në Shqipëri, vetëm pak ditë pas arrestimit të 40 personave në Itali./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB