
TIRANË- Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri nga mbrëmja e datës 25 nëntor deri më datë 30 nëntor. Mbrëmjen e datës 25 nëntor, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit kaloi në gatishmëri të përforcuar, duke rritur prezencën e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Rendit, në akset rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’iu shkuar në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.
Njoftimi:
Gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime, informoi sot policia. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me policitë bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Gjithashtu, janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cenim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive. Njëkohësisht, janë marra masa në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e angazhuar maksimlaisht për të garantuar rendin dhe sigurinë. Për çdo rast paligjshmërie ose të nevojës për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose kontaktoni me punonjësit e Policisë, të cilët janë në rrugë, sheshe dhe kudo.