
TEPELENË-Efektivët zjarrfikës janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në fshatin Luzat, në Tepelenë, ndërsa një shtëpi e cila rrezikohej që të përfshihej nga flakët është shpëtuar. Rreth 120 efektivë të Forcave të Armatosura, forca zjarrfikëse të bashkisë së Tepelenës me mjetet e nevojshme, ndihmuar edhe nga helikopteri i FA janë angazhuar në aksionin për shuarjen e zjarrit në fshatin Luzat, bashkia Tepelenë, ku era e fortë përhapi në kohë të shpejtë flakët në një sipërfaqe me bimësi. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave bëri të mundur të shmanget rreziku për një nga banesat.
Për të ndjekur nga afër situatën ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, i cili tha se është kërkuar edhe bashkëpunimi i banorëve të zonës, në rast se do të kishte evakuime pjesore.
“Në një moment patëm vështirësi në përballimin e flakëve që po afroheshin në mënyrë të beftë, por kemi arritur të minimizojmë dëmet. Kemi ndërhyrë edhe me helikopter, duke arritur të kemi një mbulim sa më të mirë të situatës. Në Luzat është bërë një punë mjaft e mirë, janë shpëtuar shtëpitë, të cilat rrezikonin. Edhe banorët në këtë fshat kanë bërë një punë shumë të mirë për mirëmbajtjen e tokave të tyre, duke lehtësuar edhe punën dhe përpjekjen e FA për të ndërhyrë apo për të patur akses”, theksoi ministri Vengu.
Ndërkaq forcat operacionale ndodhen ende në terren duke vijuar punën për shuarjen e plotë të të gjitha vatrave në këtë zonë./ZËRI