Aktualitet

Arrestohet në Dubai Marklen Haka

Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

f.t
Arrestohet në Dubai Marklen Haka
Marklen Haka

DUBAI- Marklen Haka, anëtar i bandës së Niklës është arrestuar në Dubai. Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku ndaj tij rëndojnë 3 vepra penale. Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

Kush është Marklen Haka

Marklen Haka është pjesë e “Bandës së Niklës” dhe i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2019 dhe një në vitin 2022. Në qershor të viti 2022 Haka shpëtoi mrekullisht nga një breshëri plumbash, vetëm njëri prej tyre e kapi rikoshet në nofull.

Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë përfunduan në Polici. Policia arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie. Dënimin që e përfundoi në korrik të 2019. Dy muaj më pas e plagosën, ndërsa mbeti e vrarë halla e tij, 50- vjeçarja Shpresa Basha. Po ashtu, Haka njihej për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.

Por miqësia nuk do të zgjaste shumë. Një vit më vonë në 2020 i bëhet atentat Durim Bamit. Në drejtim të tij u qëllua me kallashnikov. Ai ishte në timon dhe po drejtonte një mjet "Range", brenda të cilës ishte edhe kushëriri i tij Ervin Kodra, 35 vjeç që mbeti i plagosur. 

Në maj të këtij viti (2024) SPAK zhvilloi në operacion, i cili, u finalizua në bashkëpunim me Europol dhe u shtri në disa qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste. Në dosjen e SPAK të siguruar nga ZËRI, rezulton se tre ishin personat që kishin marrë përsipër detyrën për të eliminiuar Durim Bamit me porosi të Ervis Martinajt: Marklen Haka, Albert Zaja dhe Hektor (Tori) Xheçuka. Ditën e atentatit ishin Xheçuka dhe Kelmendi ata që qëlluan drejt mjetit "Range Rover" të Durim Bamit, ndërsa Marklen Haka i njoftoi të dy për lëvizjet e Bamit në zonën e Fushë Krujës, ndërsa Zaja për lëvizjet e tij teksa udhëtonte në aksin Kamëz-Tapizë. 

Pakti i Marklen Hakës me Ervis Martinaj

Në dosjen e SPAK ku janë zbardhur përgjimet nga Sky ECC mes bandave kriminale, është një bisedë e zhvilluar mes Ervis Martinajt dhe Marklen Hakës. Ky i fundit i betohet Martinajt se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Ndërkohë Martinaj i kërkon që të bashkëpunojë dhe ti tregojë emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasjen e Santiago Malkos. Në këmbim, Martinaj do ti tregonte personat që kanë qëlluar mbi hallën e tij, duke e lënë të vdekur, në tentativë për të vrarë Marklen Hakën.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB