
LEZHË- Zjarri në malina e Rrencit në Shëngjin ka marrë përmasa të mëdha. Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, një video ku shihet tymi që rrethon të gjithë Shëngjinin. Përmes postimit, Gjekmarkaj i bën thirrje kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit Niko Peleshi që të marrin masat që të ndërhyjë ushtria apo çdo institucion që është e nevojshme, pasi pasojat duket se do të jenë të mëdha.
Postimi:
Zjarri në Malin e Rrencit e të Shëngjinit po merr përmasa të mëdha. Flakët dhe tymi janë kudo rreth qytetit si rrezik real i çastit por edhe pak më afatgjatë për shendetin! Deri tani përpjekjet për ta shuar kanë qënë modeste. Duhet ndërhyrje urgjente jo vetëm nga pushteti lokal por nga qeveria qëndrore me çdo mjet, mundësisht me helikopter nga ajri.
Nuk ka më kohë për propagandë. Mosveprimi po shndërrohet në krim mjedisor, në rrezik për jetën e pronat në kulmin e sezonit turistik. I bëj thirrje Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi ti përgjigjen apelit për të ndërhyrë ushtria dhe çdo institucion që mund të jetë i dobishëm. Nuk duhen fjalë dhe mbi të gjitha jo genjeshtra por lëvizje menjëherë e Qeverisë dhe Shtetit nëse kemi ënde të tilla në të vertetë e jo në spote propogande.
Shtëllungat e tymit kanë zëvëndësuar retë, ndërsa gjithë këto ditë zjarret kanë djegë hektar të shumtë pyjesh në Torovicë dhe Mirditë! Banorët po thithin tym. Zjarri nuk po djeg vetëm pemë e shkurre por edhe seriozitetin e Emergjencave Civile dhe gadishmerinë për të reaguar. Nesër do jetë vonë. Sonte duhet bërë diçka. Pasojat merren me mend!