
TIRANË- Klinika ‘Splendent’ ku nisi procedura që e çoi drejt vdekjes të voglin Brian Spahiu qëndron e mbyllur. Ndërkohë që reanimatori Roland Xhaxho ka bërë ‘xhiron’ e emisioneve një natë më parë për të dhënë versionin e tij lidhur me këtë ngjarje fatale, në klinikë askush nuk përgjigjet.
Zëri.ai ishte një ditë më parë në rrugën ‘Frederik Shiroka’ ku dhe ndodhet klinika e stomatologes Ina Xhaxho, por dyert ishin të mbyllura. Mbi murin e godinës është afishuar dhe një numër celulari, me të cilin Zëri.ai u përpoq të kontaktonte, por as aty nuk përgjigjet njeri. Siç duket, përgjegjësit e kësaj ngjarjeje kanë vendosur që të mos jenë prezent për një farë kohe në ambientet ku futën dhe mbajtën për nëntë orë në sallë 3-vjeçarin.
Tashmë mjeku Roland Xhaxho është kallëzuar nga familjarët e 3-vjeçarit Brian Spahiu, të cilët e akuzojnë për mjekim të pakujdesshëm dhe neglizhencë.
Ngjarja e rëndë u bë publike një ditë më parë, por gjithçka ka filluar më 28 shtator, në orën 10:00 të paradites. I vogli u dërgua në klinikë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për gjashtë orë. Sipas dëshmive, Xhaxho u kishte garantuar familjarëve se procedura ishte një sukses dhe fëmija iu është dorëzuar familjarëve për ta marrë në shtëpi rreth orës 19:00, sipas tyre po në gjendje të pavetëdijshme.
Menjëherë pas dërgimit në banesë, djalit i është rritur edhe temperatura, gjë që ka alarmuar prindërit të cilët e kanë dërguar më pas në Pediatrinë e QSUT-së, ku Brian është intubuar për shkak se sipas mjekëve, mëlçia e tij kishte dalë jashtë funksionit.
Ai ka qëndruar në terapi, e cila nuk ka dhënë rezultat dhe më 1 Tetor, i vogli ka humbur jetën. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, pasi sipas tyre shkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen./Zëri.ai