
SARANDË- Janë publikuar pamjet e sherrit masiv të ndodhur në Sarandë, mes katër punonjësve të Policisë së Shtetit dhe katë personave të tjerë. Në video duket qartë se një prej personave të përfshirë në sherr mban veshur dhe uniformën e Policisë së Shtetit, por është e pamundur identifikimi i fytyrave të të gjithë të pranishmëve.
Megjithatë, pamjet janë shqyrtuar nga autoritetet dhe personat janë identifikuar.
Por, si ka nisur gjithçka?
Sipas autoriteteve, sherri është zhvilluar rreth orës 01:30, të datës 2 janar 2025, në fshatin Gjashtë, Sarandë, pranë një restoranti. Punonjësi i policisë Alvaro Sulejmani ka shkuar bashkë me armën e shërbimit pranë biznesit që drejtonin dy vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albion Nexhipi. Bëhet fjalë për një biznes makinash me qira.
Sulejmani u kishte një borxh lidhur me një makinë që u kishte marrë dhe shkoi te shtëpia e vëllezërve Nexhipi pas mesnate së bashku me 10 persona të tjerë, duke i dhunuar ata me sende të forta. Gjithashtu, nga çfarë raportohet, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por asnjë të plagosur.
Dy vëllezërit Albion dhe Enea Nexhipi janë dëmtuar me sende të forta por janë jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital.
Në pranga janë vënë katër punonjës policie: Alvaro Sulejmani, Inklid dhe Mihal Sulejmani, vëllezër mes tyre, si dhe Ergis Sulejmani, kushëri i tyre.
Katër persona të tjerë janë vënë në pranga, të identifikuar si Kejvi Sulejmani, Shemsho Sulejmani, Delars Duka dhe Kristjan Xhaferri, dy janë shpallur në kërkim, Igli Duka dhe Beqir Çoçka, ndërsa dy të tjerë, Enea Nexhipi dhe Albion Nexhipi, po hetohen në gjendje të lirë.