Aktualitet

Dëborë dhe mjegull! Probleme me qarkullimin, disa fshatra pa energji elektrike, si paraqitet situata

Një numër i madh banorësh vijojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas dëmtimit të linjave nga stuhia e borës.

F.I
Dëborë dhe mjegull! Probleme me qarkullimin, disa fshatra pa energji
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Disa zona të vendit tonë nga veriu në juglindje janë zgjuar mëngjesin e kësaj të shtune të zbardhur nga dëbora. 

Kukësi është zgjuar mëngjesin e kësaj të shtune i zbardhur nga dëbora. Në qytet trashësia nuk i ka kaluar 5 cm, por në zonat e thella trashësia ka arritur deri në 40 cm duke sjellë edhe probleme për shumë banorë. Zonat më të prekura nga bora në Kukës ngelen fshatrat Shkinak, Tërshen, Turaj, Xhafere, Kollovoz, Stanet e Novesojt e Arrën ku lëvizja në këtë zona bëhet vetëm me mjete të larta pasi trashësia e borës i kalon 40 cm.

Në Bashkinë Has, fshatrat si Kishaj, Cahan, Muje e Pogaj që kanë probleme me lëvizjen për shkak të borës. Një numër i madh banorësh vijojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas dëmtimit të linjave nga stuhia e borës. Aktualisht, Njësitë Administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Surroj e Kolsh në Kukës janë pa furnizim me energji.

Rruga që të çon drejt Dardhës, fshatit turistik në Korçë, është bllokuar për shkak të numrit të lartë të vizitorëve në këtë fundjavë. Disa kanë lënë automjetet në rrugë dhe kanë vijuar udhëtimin në këmbë.  Siç shihet edhe nga pamjet, trafiku mbetet i rënduar dhe lëvizja me mjete është pothuajse e pamundur.

Në bypassin e Murrizit pjesë e rrugës së Arbrit nuk ka probleme sa i përket ngricave apo pranisë së dëborës. Problem për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër është bërë prania e mjegullës. Gjatë gjithë paradites së sotme mjegulla ka qenë e dendur duke kufizuar ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve. Për shkak të terrenit malor, qarkullimi është bërë me shumë vështirësi./ZËRI

Poll

MOS HUMB