
Një operacion ndërkombëtar antidrogë i kryer nga Policia Kombëtare, Garda Civile dhe Garda e Sigurisë e Firences (Itali), ka rezultuar në çmontimin e një plantacioni me marijuanë në një magazinë në Valencia, e cila shërbente si qendër logjistike për një organizatë shqiptare. Sipas burimeve policore, gjatë aksionit arritën të arrestonin dy anëtarë të bandës kriminale, të cilët e përdornin magazinën për të kultivuar dhe ruajtur drogën me synimin për ta transportuar në vende të ndryshme të Europës.
Agjentët kanë sekuestruar 953 bimë dhe 750 gramë syth marijuanë dhe materialet e nevojshme për kultivim si 110 llamba, 55 ventilatorë, 23 panele dritash LED, 9 filtra karboni, 3 motorë ekstraktues, 3 split klimaterikë dhe materiale të ndryshme për ambalazhim me vakum.
Hetimet nisën janarin e kaluar kur agjentë të Policisë Kombëtare, së bashku me Gardën Financiare të Firences, hapën një hetim kundër një organizate kriminale me origjinë shqiptare, e dedikuar për trafikun ndërkombëtar të armëve dhe drogës. Në kuadër të operacionit në fjalë, agjentët zbuluan se një degë e këtij grupi kishte depozituar rreth 200 kilogramë marijuanë në një magazinë në Valencia.
Pas kryerjes së formaliteteve, agjentët kanë mundur të konstatojnë se një mori personash me origjinë shqiptare hynin shpesh në magazinë me furgona, që shërbenin si qendër logjistike e organizatës, gjë që çoi në dyshimin se brenda saj zhvilloheshin aktivitete kultivuese.
Më 25 prill, ata kryen kontroll në magazinë që ndodhet në qytetin Llosa de Ranes (Valencia). Brenda në magazinë, ata gjetën një plantacion "të brendshëm" me 953 bimë sythash me përmasa rreth 180 centimetra, në fazën e fundit të rritjes. Si rezultat i këtij zbulimi, agjentët arrestuan dy anëtarë të organizatës, me kombësi shqiptare, të cilët ndodheshin në vendngjarje./ZËRI