
KAVAJË- Pamjet që po shihni tregojnë momentin kur Everest Shala, 25 vjeç grabiti "Maxi Market" në Kavajë. Siç mund të shihet nga pamjet me një kallshnikov në dorë, ai afrohet tek kasa dhe kërcënon kasieren. Më pas merr një shumë parash dhe largohet. Ai u vu në pranga 12 orë pas ngjarjes, ndërsa këtë premte, Policia ka gjetur armën e përdorur në krim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kavajë. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit kallashnikov që përdori 25-vjeçari për të kërcënuar shitësen e marketit ku mori një shumë parash. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Sektorit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, pas identifikimit, kapjes dhe prangosjes së autorit të vjedhjes nën kërcënimin e armës, vijuan punën për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të thelluara, Policia bëri të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të armës së zjarrit kallashnikov, të cilën autori i dyshuar e kishte hedhur në një kanal me ujë, në Qerret, Kavajë. Më herët, Policia lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar, 25-vjeçarin E. Sh., banues në Qerret. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti./ZËRI