Aktualitet

"Vështirë shumë"/ Si dështoi plani "500 mijë eurosh" për të vrarë Ardian Nikulajn! Vrasësit nga Nikla e njoftuan...pasi refuzuan ofertën

Njeriu i botës së krimit në Nikël, tashmë i kërkuar nga SPAK, u tha se nuk mund ta merrte përsipër këtë porosi pasi e cilësonte shënjestrën si shumë të vështirë.

k.m.
"Vështirë shumë"/ Si dështoi plani "500
Ardian Nikulaj

TIRANË- Zbardhen detaje të tjera nga dosja e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Sipas dosjes së siguruar nga "Top Channel", informacionet e mbledhura deri më tani nga agjencitë ligj-zbatuese shqiptare, tregojnë se ky grup kriminal shqiptarë në Angli u vu në kontakt me njerëz të botës në Nikël në vitin 2021. Për "kokën" e Nikulajt vunë në dispozicion 500.000 euro. Por vetëm nëse vrasësi nga Nikla do të merrte përsipër dhe do të kryente ekzekutimin e Nikulajt. 

Njeriu i botës së krimit në Nikël, tashmë i kërkuar nga SPAK, u tha se nuk mund ta merrte përsipër këtë porosi pasi e cilësonte shënjestrën si shumë të vështirë. Por jo vetëm kaq! Pasi mori informacionin për shënjestrën, menjëherë vuri në dijeni Nikulajn për rrezikun që po i kanosej. Kështu viktima kishte nisur që të shtonte masat e sigurisë kur lëvizte nëpër Lezhë dhe jo vetëm. Në kushtet që asnjë shqiptar nuk po pranonte më të kryente vrasjen, grupi që bëri "porosinë" kontaktoi me portugezin Ruben Saraiva, i cili kreu edhe vrasjen. Në ndihmë të tij erdhën edhe katër britanikët Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simpson dhe Harriet Bridgerman, të cilët mbajtën në survejim shënjestrën. 

Ardian Nikulaj, u vra më 19 prill 2023 nga portugezi Ruben Saraiva pasi u financua dhe u porosit nga Edmond Haxhia i cili ishte kthyer nga Britania, aty ku jetonte. Haxhia është kushëri i Lekstakajve, konkretisht djali i dajës së Elton Lekstakaj. Fisi Lekstakaj dhe fisi Nikulaj ishin në gjakmarrje që prej vitit 1996. Historia e përplasjes mes fiseve në fjalë, ka nisur që para 27 viteve, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.

Asokohe, vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën dhe pas kësaj, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Në debat e sipër, drejtuesi i mjetit është larguar për pak çaste, duke u rikthyer në karburant i armatosur dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj. Kjo ngjarje ishte dhe zanafilla e hasmërisë së fiseve Lekstakaj dhe Nikulaj, e cila pas disa muajsh të po atij viti, do të vijonte me vrasjen e Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes. Ndërkohë në vitin 1999 u vra Gjovalin Lekstakaj dhe u plagos rëndë Pjetër Lekstakaj. Vrasja u zbardh një javë pasi ndodhi dhe të gjithë ata që ishin kthyer në Britaninë e Madhe u vendosën në pranga, në përjashtim të Saraivës. Ky i fundit ishte duke u fshehur nga Maroku, aty nga ku u ekstradua. Aktualisht po përballet me drejtësinë pasi dosja ka përfunduar në Gjykatën e Lezhës, megjithatë ende nuk është marrë një vendim ndaj tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB