
TIRANË- Gjykata e Lartë ka shtyrë ditën e sotme seancën, ku pritet të merret përfundimisht një vendim se kujt i takon për ta hetuar çështjen e “21 Janarit”, Prokurorisë së Tiranës apo Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Pas shtyrjes së seancës një regaim ka ardhur nga familjarët e Aleks Nikës, një prej katër viktimave të “21 Janarit”.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, ka qenë forca udhëheqëse dhe ngulmuese se drejtësi për këtë ngjarje, mund të japë vetëm SPAK, ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë. Sipas tij Gjykata e Lartë ishte e detyruar të zbatojë vendimin e Starsburgut.
“Jemi të zhgënjyer. Nuk e prisnim të mos respektohej procedura jonë, Kushtetuta e Shqipërisë dhe vendimi i Strasburgut. Gjykata e Lartë ishte e detyruar të zbatojë vendimin e Starsburgut pasi nuk është vendim rekomandues por detyrues për çdo shtet që ka aderuar në Këshillin e Europës. Ne jemi të detyruar ta respektojmë këtë vendim. Të paraqesim prova të tjera, që ta arsyetojmë, Gjykata e Lartë ta urdhërojë SPAK-un që çështja jonë të trajtohet me përparësi sepse janë bërë 13 vite”, tha Mark Nika për TCH.
Gjykata e Lartë po shqyrton kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kanë kërkuar që çështja të kalojë në dorën e Prokurorisë së Posaçme, duke prishur vendimin e dy shkallëve të mëparshme të gjyqësorit dhe të urdhërojë Prokurorin e Posaçme të regjistrojë procedimin penal.
Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra në demonstratën e mbajtur nga Partia Socialiste më 21 janarit të vitit 2011. Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. Në rekursin e bashkëshortes së Aleks Nikës, thuhet se Prokuroria e Tiranës e ka mbajtur hetimin për 21 janarin për 2 vjet e 6 muaj pa bërë asnjë veprim për zbardhjen e ngjarjes./ZËRI