
TIRANË- Tuneli i Llogarasë, një prej investimeve më të rëndësishme të qeverisë shqiptare në jug, pritet që të hapet për të gjithë kalimtarët në datën 5 Korrik. Ky projekt që ka kushtuar 20.4 miliardë lekë, pritet që të shkurtojë në mënyrë të konsiderueshme distancën mes Dukatit dhe Palasës, nga 30 minuta që është aktualisht në vetëm 7 minuta. Tuneli do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, ndërsa me hapjen e tij do të eleminohen një aks i vështirë, siç është ai i ngjitjes dhe zbritjes së Llogarasë.
Lajmin për hapjen e tunelit e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, sot me një postim në “Facebook”.
“Tuneli i Llogarasë. 5 Korrik 2024”, shkruan Rama, ndërsa ka postuar dhe një video, ku shihet se punimet janë duke shkuar drejt përfundimit.
Më herët, në nisje të këtij viti, qeveria parashikonte që punimet në tunel, të përmbylleshin në datën 1 Qershor, por për shkak të vonesave, tashmë aksi do të jetë funksional nga data 5 Korrik.
Kalimi me tunel pritet që të jetë me pagesë, por ende nuk janë dhënë detajet mbi shumën që do të paguajnë qytetarët që do të përshkruajnë këtë aks.
Qeveria parashikon që bashkë me aeroportin e Vlorës i cili është në process ndërtimi, tuneli do t’i japë një tjetër hov zhvillimit të turizmit në këtë zonë./ZËRI