Aktualitet

28 mijë maturantë i nënshtrohen provimit të matematikës, tezat publikohen në rrjet

Pavarësisht se teza është publikuar në rrjetet sociale, Ministria e Arsimit thotë në deklaratë se maturantët janë duke zhvilluar qetësisht provimin

E.K
28 mijë maturantë i nënshtrohen provimit të
maturante ne shqiperi

TIRANË- 28 mijë maturantë në të gjithë vendin, janë duke zhvilluar këtë të martë, provimin e matematikës, ndërkohë njësoj si dhe në dy provimet e tjera, teza është publikuar në rrjetet sociale, ndërsa ende nuk ka përfunduar testimi. Të dyja variantet e provimit janë publikuar në rrjetet sociale, ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron të gjithë maturantët dhe opinionin publik se procesi nuk cënohet.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË ARSIMIT:

Ritheksojmë se publikimi i tezës së provimit të Maturës, pas nisjes së provimit, nuk cenon në asnjë rast procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore.

Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin, vazhdojnë të zhvillojnë provimin në lëndën e Matematikës qetësisht dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme në Matematikë.

Masat e marra paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe strukturat arsimore, si, monitorimi i rreptë i ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët, kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të provimit për të krijuar një mjedis miqësor që ndihmon në reduktimin e stresit të maturantëve dhe përmirësimin e performancës së tyre janë siguria që Procesi i Maturës Shtetërore të jetë një proces transparent dhe i drejtë për të gjithë maturantët.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB