
TIRANË - Familja e Agata Carbonarës, 52-vjeçares nga Triggiano, e cila u godit nga një plumb qorr, teksa ndodhej në qendër të Tiranës për të festuar natën e Vitit të Ri me familjen e saj, po përjeton orë të tëra makthi. Gruaja ndodhet në një spital në kryeqytetin shqiptar, me dëmtime të rënda në mushkëri, por sipas asaj që mësohet, duhet të transferohet në Itali për t'iu nënshtruar një operacioni.
Është dashur një operacion për nxjerrjen e plumbit nga trupi i 52-vjeçares, që e ka goditur në vesh dhe fyt. “Zonja është vigjilente dhe presim të dimë analizën klinike”, thotë avokati i familjes, Vito Leonardo Candeloro, i cili ka aktivizuar të gjitha mundësitë, që gruaja të transferohet në Itali.
“Zonja ndodhet në spitalin e Tiranës dhe presim të rregullohet transferimi me ambulancë. Për momentin nuk ka asnjë indikacion për transportin”, shton Candeloro. E plagosura nuk ka mbetur vetëm në Shqipëri. I shoqi po e ndihmon, ndërsa familja e saj është kthyer në Itali. Megjithatë, është e nevojshme të vazhdohet me operacionin sa më shpejt të jetë e mundur. Pritja e mëtejshme mund të rrezikojë jetën e pacientes. Për këtë arsye, familja përmes avokatit të saj po bën apel që organet kompetente të përshpejtojnë aktivitetet për lejimin e kthimit të saj në Itali.
Vajzat: Ajo që po përjetojmë është surreale
“Ajo që po përjetojmë është surreale. Sot rrezikojmë të humbasim nënën, për shkak të një gjesti të papërgjegjshëm të një të çmenduri, i cili qëlloi në ajër, duke e goditur dhe shpuar në mushkëri”, shkruajnë në rrjetet sociale vajzat e Agata Carbonarës, Gaia dhe Andrea. “Këto ditë, përveçse luftojmë për jetën e saj, jemi të detyruar të përballemi me një burokraci, që pengon riatdhesimin e saj adekuat. Pyesim veten se me çfarë guximi dy patrullat e policisë, duke parë nënën tonë të kërrusur në një pellg gjaku, mund ta shpërfillnin. E si ka mundësi që ajo ende pret, me një plumb në mushkëri, të mund të mjekohet në atë gjendje që ndodhet”, shkruajnë vajzat e italianes. Kujtojmë se shtetasja italiane u godit nga një plumb qorr pranë qendrës së Tiranës gjatë Vitit të Ri, ndërsa ishte duke ecur me bashkëshortin e saj. Familjarët kanë kërkuar transferimin në Itali./Corriere del Mezzogioro - ZËRI/