
TIRANË- E njihni mjetin e mëposhtëm? Zor se e njeh edhe tashmë ish-pronarja, modelja Trejsi Sejdini. Makina luksoze e ish-missit Trejsi Sejdini, e cila është konfiskuar, tashmë do të përdoret nga Policia Rrugore. Siç duket edhe nga fotoja e siguruar nga "Weblajm", makina do të përdoret tashmë nga Policia, ndaj edhe është pajisur me të gjithë sinjalistikën e nevojshme.

Mjeti tip “Mercedes-Benz” i modeles iu nënshtruar procedurave të shitjes, por askush nuk ishte i gatshëm ta blente. Kështu që mos u çudisni nëse shihni në rrugë ndonjë efektiv policie që qarkullon me makinë 100 mijë euro.
Mjeti luksoz është sekuestruar në shtator të vitit 2019 dhe sipas verifikimeve nuk ishte i regjistruar në emër të Trejsi Sejdinit, por përdorej nga kjo e fundit. Ish-miss Universe Albania, Trejsi Sejdini e mori dhuratë mjetin në ditëlindjen e saj të 19-të. Por dhurata nuk e pati jetën të gjatë, pasi pas shpalljes në kërkim të anëtarëve të grupit të Klanit Duka, dhe të dashurit të Trejsit, Leonard Dukës, makina u sekuestrua.
Tashmë Trejsi mund ta shohë sërish, por duke u përdorur nga Policia./ZËRI