
ITALI- Autoritetet italiane kanë kryer autopsinë e trupit të 27-vjeçarit shqiptar Kasem Kasmi të vrarë në Frosinone nga bashkëkombësi i tij Mikea Zaka 23 vjeç. Prokurorët italianë do të presin 60 ditë për rezultatet për të vijuar me hetimet për shkaqet e vrasjes dhe përplasjes mes dy bandave shqiptare në rrugën Aldo Moro në Frosinone me një viktimë dhe 3 të plagosur, raportojnë mediat e huaja.
Pistat e tyre hetimore janë konfliktet për paratë e trafikut të drogës dhe prostitucionit. Korrikun e kaluar, në shtëpinë e Mikea Zakës u gjetën 20 mijë euro cash dhe versioni i dhënë nga vrasësi, në lidhje me një grindje mes grupeve për çështje që lidhen me një grua, duket se nuk ka asnjë bazë. Përveç motivit, për hetuesit mister mbetet edhe arma e krimit, e cila nuk është gjetur akoma.
Masakra me 6-7 të shtëna me armë zjarri ndodhi në një lokal të mbushur plot me klientë, duke shokuar të gjithë zonën e qytetit Italian. Në qeli ndodhet Mikea Zaka dhe në kërkim 3 persona të tjerë, ndërsa nuk është gjetur as arma e krimit.
Të premten në orën 19:30 në Frosinone, nga hyrja Parco Matusa në Piazza Cervinin do të zhvillohet një marshim qytetar i titulluar ‘Ne nuk jemi indiferentë’.
SI NDODHI NGJARJA?
Mikea Zaka ishte në ‘Shake Bar’ në rrugën ‘Aldo Moro’ me miqtë e tij Guliano D. dhe Elia D. të gjithë shqiptarë. Hyjnë dhe 4 shqiptarë të tjerë, Ervin, vëllai i tij, Kasem Kasmi dhe dy shokë. Mes tyre nis debate, ku më pas Zaka ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar me 6 plumba, të gjithë në shenjë. Njëri plumb e goditi Kasemin në qafë. Tre të plagosurit janë goditur në kokë, në qafë dhe në gjoks. Një prej tyre është një gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. Karabinierët kanë arrestuar 23-vjeçarin Mikea Zaka, i cili ka pranuar se ka kryer vrasjen duke deklaruar se e kishte kryer për vetëmbrojtje. Prokuroria italiane e akuzon atë për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe vrasjes së trefishtë të mbetur në tentative.
Viktima Kasem Kasmi, sipas të dhënave të policisë njihej në zonë me pseudonimin ‘Carletto’, kurse autori për disa vite ka jetuar në Casermone, sheshi më i rëndësishëm i trafikut të drogës në Ciociaria. 23- vjeçari dy vitet e fundit është arrestuar dy herë për drogë. Policia italiane po heton pistën e larjes së hesapeve mes dy grupeve shqiptare, trafikun e drogës dhe prostitucionit./ZËRI