Aktualitet

U shkarkua nga KPA por ende mban postin e kreut të KLP, Alfred Balla: Pres zëvendësin që të largohem

Taulant Balla shkruan se ai vetë e ka mbaruar mandatin e tij, por do të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet zëvendësi i tij.

k.m.
U shkarkua nga KPA por ende mban postin e kreut të KLP, Alfred Balla: Pres
Alfred Balla

TIRANË- Alfred Balla, kreu në ikje i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pasi u shkarkua nga Vettingu, ka sqaruar pozicionin e tij. Duke qenë se dje në media u raportua se edhe pse i shkarkuar, ai vazhdonte takimet si kreu i KLP-së, e ndodhej në Itali, sot Balla ka dalë me një reagim zyrtar. Në reagimin e tij, Balla shkruan se ai vetë e ka mbaruar mandatin e tij, por do të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet zëvendësi i tij. Ky i fundit pritet që të caktohet shumë shpejt pasi të hënën, Tartar Bazaj (një nga anëtarët e KLP) ka kërkuar një mbledhje urgjente për të gjetur pasuesin e Ballës. 

Njoftim për media i Alfred Balla aktualisht në detyrë kryetar i KLP-së.

Duke u nisur nga interesi i gazetarëve dhe i publikut pas vendimit të KPA-së, më duhet personalisht të sqaroj; Nisur nga fakti që KLP-ja nuk kishte të programuar mbledhje për vendimarrje këtë javë apo javës që vjen; Fakti që 9 anëtarë të Këshillit kanë qenë deri sot për vizitë pune jashtë shtetit; Nuk ishte e domosdoshme dhe realizueshme mbledhja e Komisionit përkatës dhe e Këshillit në mënyrë urgjente.

Nga ana tjetër në analizë të përmbajtjes së vendimit të KPA-së (shkurtim pasi ende nuk është zbardhur i plotë) të venë në dispozicion vlerësoj se: Nuk ka analizuar e vërtetuar fakte që të bënin të diskutueshme zgjedhjen time si anëtar jomagjistrat i KLP-së, për të pasur vend për tu zbatuar neni 149/ b i Kushtetutës. Gjithsesi, javës që vjen është planifikuar mbledhje e Komisionit dhe e Këshillit dhe ky problem do të analizohet e vlerësohet nga vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Dua të theksoj se, mua më ka mbaruar mandati kushtetues 5 vjeçar dhe po qëndroj në detyrë, për shkak të parashikimit kushtetues, deri në emërimin e personit që do më zëvendësoj. Ky shpjegim është i nevojshëm, për mos krijimin e situatave abuzive, referuar vendimit të KPA-së dhe efektit që ai ka mbi një organ tjetër kushtetues, pasi nuk është në interes të publikut.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi largimin e Alfred Ballës nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Trupa gjykuese pranoi ankimin e Komsionerit Publik duke thënë se Alfred Balla ishte subjekt rivlerësimi, por hoqi dorë nga detyra me vullnet të lirë, duke mos iu nënshtruar kështu procesit të Vettingut. Ndryshe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që vlerësoi ta përfundojë procesin ndaj Ballës pa një vendim përfundimtar, Kolegji vendosi ta ndryshojë atë dhe vendosi sanksionin e kërkuar nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, që i ndalon kreut të KLP-së të riemërohet për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë në pozicione që kërkojnë statusin e magjistratit. Balla nuk ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit. Por reagoi më vonë duke e cilësuar si vendim të turpshëm. Po ashtu, Balla lajmëroi se do t'i drejtohej Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. /ZËRI

Poll

MOS HUMB