
TIRANË- Pak ditë më parë u raportua se sëmundja infrktive e zgjebes ka ‘plasur’ në popullatë duke shkaktuar shumë të prekur. Ditën e sotme mjekët e QSUT-së kanë dhënë një panoramë më të qartë të situatës. Ata janë shprehur se nuk ka një shpërthim të kësaj sëmundjeje në popullatë dhe se rastet janë si çdo vit ndaj nuk ka vend për panik.
Por ajo që është shqetësuese sipas mjekevëve, është rezistenca që kjo sëmundje ka fituar ndaj mjekimit.
“Vizitat në ambulator në QSUT tregojnë se nuk ka raste të shtuara me skabie. Kemi raste rutinore si në çdo stinë të vitit. Ajo që konstatohet është rezistenca ndaj mjekimit dhe kjo për shkak të mënyrës jo të mirë të aplikimit të tij. Personat nuk zbatojnë rregullat para dhe pas mjekimit, ndërsa shkojnë sa nga njëra klinikë në tjetrën për të marrë mjekim dhe duket sikur rastet janë në shtim. Kjo është një sëmundje që kërkon higjienë para dhe pas aplikimit të trajtimit. Rregulli bazë është që kur një person trajtohet me skabie në familje, bashkë me të duhet të trajtohet e gjithë familja në të njëjtën kohë. Mjekimi nuk lë imunitet. Riinfektimi është i mundur nëse nuk zbatojmë rregullat. Shenjat e para fillojnë me kruarje kryesisht në duar, bark. Puçrrat janë dyshe dhe të ngjitura me njëra-tjetrën. Kruarjet realisht janë të forta. Zakonisht ato dalin gjatë kohës së gjumit natën,” thotë dermatologia e QSUT-së, Entela Shkodrani.
Zgjebja është një sëmundje e lëkurës, tepër e përhapur tek njerëzit. Ajo shkaktohet nga një parazit, i cili provokon një reaksion mbrojtës nga ana e organizmit, që shoqërohet me puçrra të kuqe në lëkurë, që kruhen shumë./ ZËRI