
ITALI- Një 42-vjeçar italian, i identifikuar me inicialet S.G. është arrestuar nga Policia italiane pasi akuzohet për tentativë vrasje dhe grabitje të një shqiptari. Sipas mediave të huaja, i arrestuari, i identifikuar vetëm me iniciale, në orët e para të mëngjesit të 11 qershorit, në zonën industriale të Via Liguria në Capriolo ka sulmuar me thikë një 25-vjeçar shqiptar, nga i cili po blinte kokainë.
Takimi u caktua për të blerë kokainë, por italiani shkoi me një thikë 20 cm dhe e qëlloi disa herë shqiptarin duke i vjedhur më pas 350 euro dhe drogën që kishte me vete. E gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë në zonë. Pamjet ndihmuan karabinierët që të identifikonin autorin, i cili është në burg.
25-vjeçari shqiptar, u transferua në spital, por fatmirësisht, pavarësisht plagëve të rënda nuk iu rrezikua jeta./ZËRI