TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka bërë rekurs për lirimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj, duke kërkuar rikthimin e tij në burg dhe ekzekutimin e masës së Gjykatës Speciale, për ekstradimin e tij.
Shorti ka caktuar si gjyqtar që do ta shqyrtojë kërkesën në Gjykatën e Lartë Ilir Pandën. Nuk është caktuar akoma një datë dhe një orar, se kur do të mbahet seanca. Në objektin e rekursit kërkohet pranimi i dhënies së ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar së Kosovës dhe ekzekutimin e letër-porosisë. Gjithashtu, caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest me burg”, me qëllim ekstradimin. Po ashtu, kërkohet lejimi i kontrollit personal të shtetasit Dritan Goxhaj, të vendbanimit dhe të vendit të arrestimit të tij si dhe sekuestrimin e materialeve gjatë kontrollit të tyre.
Në kërkesë parashtrohet objekti për caktimin e datës dhe vendit të kryerjes të procedurës së ekstradimit, si dhe lejimin e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të vazhgojnë procedurat gjyqësore shqiptare përkatëse në lidhje me zbatimin e kërkesës për bashkëpunim dhe ndihmë.
Vetë Goxhaj, në një intervistë deklaroi se nuk është informuar për rekursin e Prokurorisë Speciale. Ai akuzoi Specialen se i shërben Serbisë. “Unë nuk jam informuar zyrtarisht për rekursin, siç e parashikon ligji, por jam informuar nga mediat. Prokuroria Speciale është vënë në shërbim të Serbisë dhe paguhet nga Europa. Proceset në Speciale janë të padrejta, sepse mund të shkelen të drejtat e njeriut dhe nuk ke ku ankohesh”, tha ai.
Ish-luftëtari i UÇK-së Dritan Goxhaj u lirua nga burgu me vendim të gjykatës së Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë më 10 tetor 2023. Kjo gjykatë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke refuzuar edhe ekstradimin e Goxhajt. Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrik 2023 me urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata Speciale e Kosovës, me qëllim ekstradimin për në Hagë. Ai u përball me akuzën se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Gjykata Speciale e Kosovës. Dritan Goxhaj ka mohuar akuzat ndaj tij./ZËRI/