
BRITANI- Mikeljan Dusha, 27 vjeç dhe Dylber Selimllari, 28 vjeç janë dënuar këtë të premte nga drejtësia britanike me 27 muaj burg pasi u kapën në një “shtëpi bari”, në ish-klubin Arundel në Blaenavon gushtin e kaluar. Atë kohë ata patën deklaruar para efektivëve se po “shfrytezoheshin” nga gangsterët për të rritur bimët.
Kur panë Policinë në derë dy të rinjtë tentuan të ia mbathin. Njëri prej tyre, Mikeljan Dusha, u rrëzua nga dritarja dhe përfundoi në spital pas dëmtimeve në njërën këmbë.
“Ishte i mbushur me kanabis në 10 dhoma dhe në katin e sipërm ishte një banesë ku banonin të pandehurit. Këto dhoma banimi ishin të pastra dhe të rregullta dhe kishte një kuzhinë, banjë dhe tre krevate”, tha hetuesi Peter Donnison.
Më vonë, dy të rinjtë pranuan përfshirjen në prodhimin e kanabisit, ndërsa avokatët mbrojtës thanë se ata ishin “të dëshpëruar për para” dhe ishin futur në “shtëpi bari” nga të tjerët.
Gjatë aksionit të Policisë më 27 gusht u sekuestruan qindra rerënjë kanabis dhe mijëra paundë./Zëri.ai