
SERBI- Detaje të reja janë bërë me dije në lidhje me vrasjen e shqiptarit Faton Hajrizi në Serbi. Mediat serbe raporojnë se ai u ekzekutua nga policia pasi ka qëlluar i pari në drejtim të tyre duke vënë në rrezik jetën e efektivëve që ishin vënë pas për ta kapur. Siç shkruan “Vijesti”, kur ai është lokalizuar, Hajrizi ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të policëve, të cilëve u ka shpëtuar jetën antiplumbi dhe mbrojtëset që mbanin në kokë. Shihet se një makinë ka shenja plumbash.
Ndërsa numri dy i qeverisë sërbe, njëherazi ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç bën me dije se Hajrizi nuk u dorëzua dhe pas thirrjeve për negociata apo hedhjes së gazit lotësjellës. Nga sulmi nuk ka asnjë efektiv të lënduar, raportojnë autoritetet serbe.
“Kemi nxjerrë një fotografi. Na ndihmoi, një vendas e njohu sepse i kërkoi ujë. Ky banor lokal udhëtoi dy kilometra për të informuar Policinë. Kur ka ardhur policia ka qëlluar, policia ka gjuajtur dy të shtëna, ka nisur të vrapojë, ka gjuajtur nëntë plumba, nuk është dorëzuar, ishte kriminel mizor dhe i pabesë, është vrasja e pestë apo e gjashtë që ka kryer,"- tha Daçiç.
Faton Hajrizi u shpall në kërkim pasi qëlloi dje për vdekje efektivin e Policisë, Nikolla Krsmanoviç dhe plagosi kolegun e tij Vjekoslav Iliç në Loznicë. Po ashtu një armë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i është sekuestruar Faton Hajrizit, pas vrasjes së tij nga policia serbe në qytetin Lloznicë, në veri-perëndim të Serbisë. Një fotografi e armës me të cilën ai dyshohet ta ketë kryer vrasjen e policit serb Nikolla Krsmanoviç të mërkurën në mbrëmje, është publikuar sot në mediat serbe./ZËRI