
GREQI – Jani Zoto, shqiptari që u akuzua se kishte vrarë bashkëshorten e tij vite më parë në Greqi, sot u shpall i pafajshëm. Kjo, pasi autoritetet kanë gjetur vrasësin e vërtetë të bashkëshortes së tij, që është një pakistanez.
Pas këtyre zhvillimeve, Zoto ka dhënë një intervistë për mediat greke. Ai tha se që në momentin që ndodhi krimi, ka thënë se është i pafajshëm, por se askush nuk e kishte besuar.
“Kam qëndruar disa vite në burg padrejtësisht. Më në fund ka Zot. Zoti kishte mëshirë për mua dhe më ndihmoi që të zbardhet e vërteta. Tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava gruan time dhe më futën në burg padrejtësisht”, tha shqiptari.
Jani Zoto tregon edhe për momentet, kur ndodhej në burg, në mënyrë të padrejtë.
“Tre vite të jetës sime i kalova në burg, kur në fakt isha i pafajshëm dhe qaja, por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më mizore se të konsiderohesh vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti e nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës.
Gruaja që u vra ishte bashkëshortja ime, unë jetoja me të dhe nuk kishte sesi t’i bëja keq. Dua të vazhdoj jetën time dhe të lë pas këtë makth, që shenjoi jetën time përgjithmonë”, tha ai.
‘Përmbysja e madhe’ në hetime për krimin në Kos
Siç zbulon sot gazeta “Demokratiki”, një pakistanez i arrestuar korrikun e kaluar në Gjermani për vjedhje dyqanesh është autori i vrasjes së 43-vjeçares. Zbulimi u bë nga gjurmët e gishtave së tij, ndërsa autori tregoi dhe sesi ka kryer krimin.
Në prill të vitit 2023, “Demokratiki” zbuloi se u vërtetua mospërfshirja e 54-vjeçarit, i dënuar në qershor 2015 me burgim të përjetshëm, në krimin e rëndë. Kështu ai u la i lirë me kushtet shtrënguese të ndalimit të daljes jashtë vendit dhe paraqitjes një herë në muaj në komisariat.
Provat ishin gjurmët e gishtërinjve të marra nga pllakat e banjës pranë trupit të pajetë të 43-vjeçares dhe i përkisnin një pakistanezi, që jetonte me bashkatdhetarët e tij në një apartament në katin e parë në pallatin ku u krye krimi.
Në gjykimin e mëparshëm në Gjykatën e Apelit, një punonjës policie kishte dëshmuar se krimi nuk mund të ishte kryer nga i akuzuari brenda 6 minutave, konkretisht nga ora 01.38 kur la punën në furrë buke deri në orën 01.44 kur ai informoi autoritetet për krimin.
Gjykata kishte urdhëruar ekzaminimin e pamjeve nga kamerat e pastiçerisë ku i akuzuari punonte në vendin e krimit dhe më tej deklasifikimin e telefonatave të bëra në celular.
Drejtoria e Hetimeve Kriminale (Departamenti i 7-të i Ekzaminimit të Provave Dixhitale) ka dorëzuar në mënyrë të rregullt një ekspertizë laboratori, duke konfirmuar pretendimet e të pandehurit, që rezultonte se ai po telefononte partneren e tij./Zëri.ai/