Aktualitet

U dënua me 1 vit burg në mungesë, reagon ish-kryebashkiakja e Libohovës: Dikush do të më njollosë

Mandi pretendon se punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal. 

f.t
U dënua me 1 vit burg në mungesë, reagon ish-kryebashkiakja e
Luiza Mandi

TIRANË-Një ditë pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtore ish-kryetaren e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandin dhe e dënoi me 1 vit burg, kjo e fundit u është drejtuar qytetarëve dhe ka shpjeguar si qëndron e vërteta. Ish-kryebashkiakja u shpall fajtore për shpërdorim detyre, por vendimi u dha në mungesë të ish-kryebashkiakes, e cila ndodhet jashtë vendit. Mandi në reagimin e saj shprehet se ndaj saj ka tendencë për ta njollosur dhe se do ta ankimojë vendimin e GJKKO.

Mandi u kallëzua në SPAK nga një qytetar, i cili pretendonte se në pronat e familjarëve të tij bashkia po zhvillonte një projekt për zgjerim rruge. “Alba Kosntruksion” ishte firma e cila kishte marrë përsipër zhvillimin e projektit. Personi që ka kryer kallëzimin raportohet se ka komunikuar vetë paraprakisht me kryetaren e bashkisë dhe përgjegjësin e urbanistikës, të cilët i kanë thënë, se sapo të përfundojë projekti do të riparonin dëmet e shkaktuara në tokat e tij. Ndërkohë në regaimin e saj ish-kryebashkiakja pretendon se punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq e bashkëqytetarë te mi!

Jam njohur nga media për vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku akuzohem për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një padi të ngritur kundër meje nga një pronar toke në qytetin e Libohovës. Nëpërmjet këtij postimi nuk dua të kundërshtoj apo të komentoj vendimin e kësaj gjykate, por si e votuara juaj për dy mandate, kam detyrimin që të ndaj me ju, si para Zotit, të vërtetën e këtij sulmi nga njerëz që duan të njollosin emrin tim. Para jush unë do të jap llogari, njësoj sikur të isha në detyrë.

Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin e qendrës së qytetit Libohovë, në vitin 2016, lindi nevoja për zgjerimin e rrugës dytësore, bypass-it të qytetit. Zgjerimi do të “cënonte” edhe pronën në bashkëpronesi nga 10 pronarë, ku vetëm 15.8 metra katror i takonin paditësit. Duke qenë një sipërfaqe kaq e vogël, asnjëri nga bashkëpronarët, perfshi edhe paditësin, nuk kërkuan asnjë dëmshpërblim për këtë, por vetëm disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, të cilat ju plotësuan. Punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal. Vlera totale e pronës, sipas vlerësimit, qenkërka 3 milionë e 600 mijë lekë (të vjetra) dhe vlera që paditësit “i takon” është 360 mijë lekë (të vjetra).

Të dashur bashkëqytetarë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për këtë “dëm” që i kam shkaktuar këtij qytetari, e ka klasifikuar “shpërdorim detyre” dhe kërkon të më dënojë me 8 muaj heqje lirie! Ndihem krenare për punët e mira që kam bërë gjatë ushtrimit të detyrës sime si kryetare e bashkisë, por këtë krenari dhe emrin tim që dikush është i intresuar për ta goditur dhe njollosur, do ta ruaj me të gjitha mjetet ligjore, në çdo shkallë të gjyqësorit!/ZËRI

Poll

MOS HUMB