Aktualitet

U arrestua me bujë një vit më parë, SPAK nuk gjen prova: Të pushohen hetimet ndaj Marsel Deçkës

Marsel Deçka u arrestua për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që ndodhi në Durrës në vitin 2019, dhe mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku

E.K
U arrestua me bujë një vit më parë, SPAK nuk gjen prova:
Foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme njoftoi sot mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të dosjes për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku. Në fund të hetimeve, SPAK, ka kërkuar pushimin e çështjes për një prej të pandehurve, shtetasin Marsel Deçka, pasi nuk janë gjetur prova të mjaftueshme për implikimin e tij në këtë atentat.

“Sa i përket të hetuarit tjetër Marsel Deçka, Prokuroria e Posaçme, ka konkluduar se nuk ka kryer elementët e veprave penale të parashikuar nga nenet 80, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, sa i përket episodeve pas ngjarjes së datës 01.11.2019, për rrjedhojë, i jemi drejtuar gjyqtarit të seancës paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj tij.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të të pandehurve që kanë marrë pjesë në këto ngjarje, kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr.184/1 të vitit 2021, numërtimin si procedimi penal Nr.184/2 i vitit 2024, dhe vijimin e hetimeve”, thuhet mes të tjerave në dosjen e SPAK.

ATENTATI NDAJ PROKURORIT NDOJA 

Më 1 nëntor të vitit 2019, në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, u bë atentat ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Ditën e ngjarjes, Ndoj ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Makina 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, u qëllua me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.

Pas breshërisë së tetë plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private.

Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Ndërsa prokurori Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, që së fundi e kishte ndryshuar emrin në Aleksandër Laho, morën trajtim në spitalin e Durrësit dhe nuk morën lëndime që i rrezikonin jetën. Nën akuzë për atentatin ndaj ish-prokurorit, janë Redjan Rraja dhe Ariol Halili.

Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij./ZËRI 

Poll

MOS HUMB