
SARANDË- Motra e Adnant Jaupit, trupi i të cilit u gjet i copëtuar dy ditë më parë në Xarrë të Sarandës, ka thyer heshtjen, dhe ka deklaruar se me të vëllanë ka komunikuar për herë të fundit rreth një muaj më parë. Ajo ka mohuar faktin se e kishin denoncuar në polici humbjen e Jaupit, e sipas saj ai i kishte normale shkëputjet e komunikimit.
Në një lidhje telefonike për emisionin ‘Me zemër të hapur’, motra ka sqaruar se ai nuk punonte si bari në Sarandë, por kujdesej për pemët në një fermë në Konispol.
“Nuk e kishim shpallur të humbur. Kemi folur me të 1 muaj më parë. Ai nuk ishte bari, punonte në një fermë në Sarandë në Konsipol. Mbillte dhe kujdesej për ullinjtë, portokallet. Këtë punë mbante. Ne e dënim që ai punonte se këtë gjë e ka bërë më përpara. I shkëpuste lidhjet për 2-3 muaj dhe më pas kontaktonte. Nuk kishim shkuar as në polici. Ishte hera e parë dje që mori policia e Sarandës, që dhanë lajmin që është gjetur I vdekur dhe kaq. Ai ishte beqar”, tha motra e 51 vjeçarit nga Elbasani.
Dy ditë më parë policia e Sarandës gjeti kokën e një personi të pajetë, dhe një ditë më vonë edhe trupin. Policia arriti në konkluzionin se mbetjet kockore i përkisnin shtetasit Jaupi nga Elbasani, trupi i të cilit dyshohet se është copëtuar nga kafshët e egra. /Zëri.ai