
SHBA- Një krim i rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një 27-vjeçare shqiptare, e identifikuar si Sabrina Kraniqi ka vrarë me armë zjarri bashkëshortin e saj, Pajtim Krasniqi, 34 vjeç. Më pas, ajo ka qëlluar veten. Të dy kanë ndërruar jetë.
"Përmes hetimeve është konstatuar se Sabrina Krasniqi ka qëlluar për vdekje disa herë bashkëshortin e saj dhe më pas veten. Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre të përbashkët,”- bënë me dije autoritetet në Florida.
Të dy ishin me origjinë nga Peja e Kosovës, por prej vitesh ishin vendosur në SHBA.
Një regjistrim i siguruar nga policia tregon pesë të shtënat me armë zjarri njëra pas tjetrës, që siç duket janë shkrepur nga Sabrina në drejtim të Pajtimit. Më pas ka pasur një pauzë të shkurtër dhe është dëgjuar një e shtënë tjetër, plumbi me të cilin Sabrina qëlloi veten.
Banorët e Hallandale Beach kanë treguar se para se ndodhte krimi i rëndë, kanë dëgjuar të bërtitura mes çiftit.
“Dëgjuam të bërtitura dhe ishte e frikshme. Dëgjova të shtënat dhe më pas pas disa minutash makinat e policisë dhe ishte një skenë e mbushur me njerëz”, tha Max Braendlin, i cili jeton në atë lagje.
Askush nuk di ta thotë arsyen që çoi në kryerjen e këtij krimi. Por, motra e Pajtimit, Albana Krasniqi fajëson kunatën për këtë krim të rëndë. Përmes një postimi, ajo shkruan se Sabrina ka zgjedhur të tradhëtojë dashurinë dhe besimin e të vëllait të saj, të cilit i mori dhe jetën.
“Festën e Falënderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimtë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij. Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me pesë plumba në kraharorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori. Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllezërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë. Të dua përgjithmonë Pajtim,”- shkruan ajo në një postim.
Ndqini pamjet nga vendngjarja: