
KOSOVË – Naim Murseli, i dyshuar se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka tronditur me dëshminë e dhënë përpara hetuesve policorë. Murseli ka thënë se ka qenë në dijeni se Granit Plava ka qëlluar me armë zjarri për të vrarë gruan e tij, Liridona Ademajn, mbrëmjen e 29 nëntorit 2023.
Mirëpo, Murseli ka thënë se ai nuk ka gisht në vrasjen e bashkëshortes. Por, ai ka pranuar se ka takuar Granit Plavën ditën e ngjarjes. Mediat e Kosovës kanë publikuar dëshminë e plotë, të dhënë nga Naim Murseli përpara hetuesve në Kosovë. Murseli, në dëshminë e tij, shprehet se i ka dhënë para Granit Plavës, për të blerë një armë.
RRËFIMI I PLOTË I NAIM MURSELIT, DHËNË PËR HETUESIT, PUBLIKUAR NGA MEDIAT NË KOSOVË:
Naim Murseli shprehet se ditën e vrasjes, ka takuar autorin e dyshuar të vrasjes, Granit Plavën. Ai tha se i ka blerë armë Plavës, si dhe shtoi se ka qenë në dijeni se Graniti ka qenë vrasësi.
“Në ditën kritike, unë isha në Gjakovë për punë personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin, ku Kushtrimi i ka treguar se ku do të takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij në atë lokacion, tek pompa Eko, ku punonte dhe ka vazhduar me mua me automjetin tim Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant ‘Liqeni i Dukagjinit’, por gjatë rrugës goma e makinës m’u dëmtua dhe vazhduam për të gjetur një gomisteri për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik të fshatit, i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën.
Personi, i cili na ndihmoi, e pyeti Granit Plavën nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po, vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe m’i kërkoi mua dhe unë ia dhashë 250 euro, aq sa edhe ka kushtuar arma. Nga aty, pasi u rregullua goma, më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërritur në Prishtinë, pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin, por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan, ku kishte për të marrë një makinë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai më ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me makina dhe më ka thënë se unë tani e di çfarë do bëj”, ka rrëfyer Naim Murseli
Teksa ka rrëfyer momentin e vrasjes, ai ka deklaruar se ndonëse e ka ditur se vrasësi ishte Granit Plava, nuk e ka besuar se Graniti do të kryejë veprimin e vrasjes.
“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij, unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çuar duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes, jepja gjithçka çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve, duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga makina. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë, por pa e parë se çfarë ndodhi”, ka deklaruar ai.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI/