
KOSOVË- Ish-nënkoloneli i Policisë së Kosovës Refki Morina ka bërë një deklaratë të fortë këtë të premte ku është shprehur se tashmë Policia e Kosovës e ka zbardhur vrasjen e Liridona Ademajt dhe se motivi se përse ka ndodhur ngjarja tashmë dihet. Gjatë një interviste në RTV Dukagjini Morina, ka deklaruar se tashmë ka prova dhe fakte të mjaftueshme që çojnë në zbardhjen e vrasjes së Liridonës.
Refki Morina: Lënda ka shkuar në gjykatë dhe kjo është duke e shoshitë rastin. Faktet, dëshmitë, dëshmitarët edhe i pandehuri por edhe personi që akuzohet deklarohen në gjykatë, por edhe personat e tjerë do të thonë fjalën e tyre. Shumicën e herave kryerësit e veprave penale nuk e pranojnë fajin, mundohen t’i ikin përgjegjësisë penale. Policia e Kosovës dhe prokuroria kanë prova të mjaftueshme dhe fakte që argumentojnë që ai mund të jetë kryerësi i veprës penale. Policia e Kosovës duhet me efikasitet të kryej punët e veta. Sikurse Policia ashtu edhe prokuroria duhet të gjej motivin që ka dërguar deri tek vrasja. Ka raste që kryerësi ka pranuar veprën, ‘unë e kam kryer këtë’. Ka rast që ka pranuar veprën penale dhunim dhe gjatë shoshitjes së fakteve ka dalur se nuk e ka kryer ai aktin, por i vëllai. Sepse vëllai i tij ka qenë bartës i familjes, por që është marrë vesh me vëllanë që ky ta vuajë dënimin dhe me pranu fajësinë dhe vëllai me punu dhe me mbajt familjen.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI