Aktualitet

Tritoli ndaj biznesmenit Gjon Mena, GJKKO dënon me 25 vite burg Gjergj Cukalin

Cukali është gjetur fajtor për porositjen e vendosjes së tritolit në makinën e biznesmenit Gjon Mena në Kamëz më 9 shkurt të vitit 2021.

E.K
Tritoli ndaj biznesmenit Gjon Mena, GJKKO dënon me 25 vite burg Gjergj
Gjergj cukali

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Gjergj Cukalin, pasi dyshohet se ka porositur atentatin me tritol ndaj biznesmenit Gjon Mena, në zonën e Kamzës. Po ashtu GJKKO ka dënuar me nga 8 vite burg Enver Jakimin dhe Ermond Jakimin, Blendi Dedën me 20 vite burg, Paris Prengën 18 vjet dhe Flor Abazi 19 vite. Cukali është dënuar me 25 vite burg për akuzat: vrasje në tentativë ndaj Gjon Menës, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal.

Gjergj Cukali, i njohur si i forti i “Myslym Shyrit’, është një personazh i njohur i botës së krimit në Tiranë, i skeduar për disa ngjarje të rënda kriminale.

Cukali është skeduar për herë të parë në vitin 2004, për akuzën e pengmarrjes. Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.

Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “ëillson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.

Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.

Cukali kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016, me identitetin Ergi Hoxha. Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, iu sekuestruan nga policia, e cila ndaj Cukalit kishte ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Pas një viti qëndrimi në burg, Gjergji Cukali sërish arriti të dilte. Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumentoi se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.

Gjergj Cukali sërish nuk arriti të qëndronte dot larg telasheve. Në vitin 2018 arrestohet sërish për thyerjen e masës së sigurisë. Në vitin 2019 ai u arrestua si i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar, por prokuroria nuk arriti që të provonte fajësinë e tij./ZËRI 

Poll

MOS HUMB