TIRANË- Një 27-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi dyshohet se ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare. Mësohet se i riu blinte produkte dentare dhe i shiste në klinika kundrejt fitimit, në emër të një kompanie. Sipas njoftimit të policisë, 27-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, deri tani rreth 12 mijë euro të dokumentuara.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizon operacionin policor të koduar “Reputacioni”.
Blinte produkte dentare, duke mashtruar furnitorë, se ishte përfaqësues i një kompanie në këtë fushë (në të cilën kishte punuar më parë), arrestohet 27-vjeçari.
Dokumentohet se nga shitja në klinika dentare, e produkteve të blera nëpërmjet mashtrimit, 27-vjeçari ka përfituar rreth 12 000 euro.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.
Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro).