TIRANË- Është duke vijuar me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të vendoset mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për t’i hequr mandatin zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kjo e fundit nuk e ka shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji për të qenë pjesë e mbledhjes, por është përfaqësuar vetëm nga avokati mbrojtës i saj, Ardian Kalija.
Paralelisht me kohën kur po mbahej mbledhja në Kryesinë e Kuvendit, Balluku u pa të hynte në godinën e kryeministrisë, ku raportohet se ka qenë e pranishme në mbledhjen e qeverisë, që është thirrur nga Edi Rama.
Në këtë mënyrë, Balluku ka shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me 3 prokurorët e SPAK, dhe argumentet kundër heqjes së mandatit të saj do të paraqiten para deputetëve nga avokati i saj. Pas mbledhjes së sotme, Këshilli i Mandateve ka dy javë kohë për të përpiluar një raport, në lidhje me qëndrimin që do të mbahet për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, dhe më pas i kalohet për votim Kuvendit.
SPAK në kërkesën që ka dorëzuar në Kuvend ka rënduar pozitën e Ballukut, duke e akuzuar atë jo vetëm për tenderat, për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, por edhe për koncesionin e ndërtimit të rrugës Thumanë-Kashar me vlerë më shumë se 245 mln euro nga kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt, tenderin e rrugës Porto Romano-Durrës 12 mln euro dhe mirëmbajtjen e akseve të veriut me vlerë 440 mijë euro.