
KOPENHAGEN - Gjykata e Lartë në Danimarkë ka dhënë një vendim për të ashtuquajturën ‘çështja Goldfinger’, në lidhje me trafikimin e një sasie të madhe të kokainës. Gjykata e Lartë ka shpallur fajtorë 13 burra, përfshirë 10 shtetas shqiptarë, për pjesëmarrje në një rrjet të organizuar, që qëndronte pas kontrabandës, shpërndarjes dhe tregtisë së gjithsej 1122 kilogramë kokainë.
Personat e moshës 25 deri në 53 vjeç janë dënuar gjithsej me 183 vite burg, teksa 19 vite e katër muaj burg është dhënë për organizatorin. Pas një hetimi të plotë, policia ka shkatërruar një rrjet shqiptar, që ka qenë pas një pjese të madhe të tregtisë së kokainës në Kopenhagen. Të 10 shqiptarët janë dënuar për kontrabandë të sasive të mëdha të kokainës. Kokaina kontrabandohej nga Holanda, Belgjika dhe Gjermania dhe telefonat e koduar përdoreshin për komunikim dhe koordinim të ndërsjellë.
“Ky është një rast në të cilin policia dhe prokuroria kanë investuar burime të konsiderueshme, dhe natyrisht është e rezultat i kënaqshëm, që Gjykata e Lartë ka dhënë sot një vendim që pasqyron pikëpamjen tonë për çështjen në të gjitha aspektet. Fakti që disa prej të pandehurve janë dënuar edhe me burgim të gjatë, pasi për herë të parë është parë një dënim nga Gjykata e Lartë më shumë se 16 vite burg, nënvizon seriozitetin dhe profesionalizmin e rastit”, thotë prokurorja speciale Annika Jensen nga Prokuroria e Shtetit për Krime Speciale (SSK).
Në Danimarkë, rrjeti kontrollohej nga një shqiptar i ardhur në Danimarkë në vitin 1998 me një identitet të rremë. Më pas, organizatori ka sjellë për disa vite anëtarë të familjes në Danimarkë dhe Suedi, për ta ndihmuar atë në këtë ‘sipërmarrje’. Një kushëri i organizatorit ishte, ndër të tjera, kreu i rrjetit në Suedi. Përveç kësaj, një kushëri tjetër ishte përgjegjës për përzierjen dhe rishitjen e kokainës, si në Danimarkë ashtu edhe në Suedi.
Disa herë në muaj, tregtarët shqiptarë të kokainës përdornin dy dyqane suveniresh në Kopenhagen, ku të ardhurat nga shitja e kokainës, e cila arrinte në disa milionë korona daneze në cash, dorëzoheshin me synim konvertimin e mëvonshëm në euro jashtë vendit dhe më pas mblidheshin në të njëjtat dyqane suveniresh në Kopenhagen. Shumat e mëdha të eurove përdoreshin më pas për blerjen e kokainës së re jashtë vendit, ashtu siç fitimi nga shitja dërgohej vazhdimisht në Shqipëri me autobusë turistikë.
“Është një nga organizimet kriminale më profesionale që kemi parë deri më sot. Ndër të tjera, rrjeti ka përdorur identitete të rreme, telefona të koduar, makina të konvertuara të kontrabandistëve dhe laboratorë sekretë në Kopenhagen, për këtë arsye ka qenë një detyrë hetimore komplekse dhe e gjerë. Prandaj do të doja të theksoja përpjekjet e mëdha të policisë”, thotë prokurori special Lasse Biehl nga Prokuroria e Shtetit për Krimet e Posaçme (SSK).
Tre burrat, përkatësisht 53, 46 dhe 48 vjeç, të cilët punonin në dyqanet e suvenireve, u dënuan me gjithsej 15 vjet burg për person. Tre nga shqiptarët u dënuan gjithashtu për armëmbajtje pa leje, duke përfshirë dy pistoleta dhe dy granata dore. 10 shtetasit shqiptarë të dënuar dhe një shtetas irakien me banim në Suedi u dëbuan nga Danimarka dhe tashmë kanë ndalim të përhershëm hyrjeje. Rasti, ku hetimi filloi nga Policia e Kopenhagës në vjeshtën e vitit 2018, njihet si Operacioni Goldfinger. Pas themelimit të NSK dhe SSK në janar 2022, çështja u transferua në këto organe. Më 26 qershor 2019, policia bëri arrestime si në Danimarkë ashtu edhe jashtë saj. Hetimi u zhvillua në bashkëpunim me policinë në Suedi, Gjermani, Slloveni, Belgjikë, Holandë, Shqipëri dhe me EUROPOL dhe EUROJUST.
Çështja është proceduar në Gjykatën e Qytetit të Kopenhagenit dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Vendimet në Gjykatën e Lartë ishin si më poshtë:
53-vjeçari: 5 vjet burg
51-vjeçari: 16 vite burg dhe deportim
50-vjeçari: 14 vjet burg dhe internim
49-vjeçari: 15 vjet burg dhe deportim
48-vjeçari: 5 vite burg dhe deportim
46-vjeçari: 5 vjet burg
45-vjeçari: 19 vjet e katër muaj burg dhe dëbim
44-vjeçari: 17 vite burg dhe deportim
40-vjeçari: 18 vjet burg dhe deportim
36-vjeçari: 19 vite burg dhe deportim
36-vjeçari: 18 vjet burg dhe dëbim
33-vjeçari: 18 vite burg dhe deportim
25-vjeçari: 14 vjet burg dhe deportim.
Dyshohet se kreu i bandës është shqiptari Jetmir Kastrati, i njohur për faktin se grupi i tij mbushi Kopenhagenin me drogë./https://anklagemyndigheden.dk - ZËRI/