Aktualitet

Tjetërsoi gati 500 mijë m2 tokë shtet! Kush është Ardit Kërtusha, kreu i FRESSH-it që kaloi tek Basha, i shpëtoi atentatit në 2022

Një vit më vonë, 31-vjeçari në zgjedhjet e 25 prillit iu bashkua publikisht Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Por pavarësisht përpjekjeve nuk ia doli dot që të fitonte mandat. 

k.m.
Tjetërsoi gati 500 mijë m2 tokë shtet! Kush është Ardit
Ardit Kërtusha

DURRËS- 5 persona janë vendosur në prangat e Policisë së Durrësit, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar gati 500 mijë m2 tokë në disa zona të Durrësit. Njëra madje, pranë Universitetit "Aleksandër Moisiu". Në pranga ka rënë edhe ish-kandidati i Partisë Socialiste në Durrës, Ardit Kërtusha. 33-vjeçari, ish-kryetar i FRESSH, ka qenë mjaft aktiv disa vite më parë, kur edhe kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës në 2020, por më pas u tërhoq nga gara. Një vit më vonë, 31-vjeçari në zgjedhjet e 25 prillit iu bashkua publikisht Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Por pavarësisht përpjekjeve nuk ia doli dot që të fitonte mandat. 

Në vitin 2022, Kërtusha plagoset me armë zjarri në ambientet e jashtme të lokalit të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy, në zonën e Currilave. Për ngjarjen, doli dhe foli vetë Kërtusha, i cili mohoi që ngjarja të ketë ndodhur për motive banale apo konflikt të çastit duke deklaruar se ishte atentat i mirëfilltë që do kryhej nga vrasës me pagesë. Sipas tij, personi ishte me kapuç dhe me dy pistoleta duke qëlluar katër herë, por për fat të mirë pistoleta u bllokua, por nuk e zbuloi se përse ishte kthyer në një shënjestër për t'u ekzekutuar.

“Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-covid, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar tek tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta u bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë. Unë u largova me shpejtësi sapo pash që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit,”-deklaronte Kërtusha.

Por me aksionin e sotëm, prej të cilit ka përfunduar në pranga, nuk përjashtohet mundësia që të jetë tentuar që të eliminohet për shkak të ndërhyrjeve që ai bënte me pronat në Durrës. Prokuroria dhe po ashtu Policia e Durrësit, në hetime të ndara, kanë dalë në përfundimin se Ardit Kërtusha, së bashku me Leonard Kadrimin dhe ish-juristin e Kadastrës, me inicialet M. Z., i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se duke shpërdoruar detyrën. Të gjithë së bashku kanë tjetërsuar prona dhe ia kanë kaluar personave private, ndërkohë që trualli deri në vitin 2018 ka pasur "pronësi shtet'.

'Caktimin si masë sigurimi ndaj shtetasit Ardit Kërtusha, I biri I Islam dhe I Merita, I dtl.12.01.1991, lindur në Durrës dhe banues në Lagja nr.15, Rruga “Aleksandër Goga” Durrës, me shtetësi Shqiptare, me arsim të lartë, gjendje familjare I martuar, gjendje gjyqësore I padënuar, ID nr.J10112072A, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimi” dhe “Pastrimi I produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 143/3 e 25 dhe 287/2 germa”a” të Kodit Penal, atë të “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 të K. Pr. Penale.'- njofton Prokuroria.

Deri më tani nga aksioni, janë mësuar vetëm emrat e dy përfituesëve të tokës, Lirim Xhameta dhe Dashnor Taulla, por nuk dihet ende se kush janë përfituesit e pronave të tjera, që në total kapin 500 mijë metra katrorë./ZËRI

Poll

MOS HUMB