
TIRANË- Drejtoresha e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka ndarë lajmin se platforma TikTok tashmë ka vendosur një rregullator në Shqipëri, duke intensifikuar përpjekjet për të hequr video me përmbajtje të dëmshme. Sipas saj, ky hap vjen pas një takimi me përfaqësuesit e TikTok në Shqipëri dhe homologë nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova, ku u diskutua për sigurinë online, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve dhe grupeve të tjera të pambrojtura.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të përmirësuar sigurinë në internet.

Postimi i plotë:
Me përfaqësues të platformës TIKTOK, me drejtuesit e rregullatorëve të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Kosovës, me ekspertë dhe përfaqësues të tjerë për të folur për sigurinë online.
Sot AMA me CRCA/ECPAT Shqipëri dhe TikTok u bënë bashkë për tryezën, “Një agjendë digjitale për sigurinë e fëmijëve në Ballkanin Perëndimor”. Ftova në këtë tryezë edhe homologët e mi nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Mali i Zi në mënyrë që bashkëpunimi i shkëlqyer që kemi vendosur me TikTok të shërbejë si shembull e mundësi për të lidhur ura të ngjashme ndërveprimi, sepse edhe sfidat janë të ngjashme.
Përveç kësaj, sot folëm edhe për rritjen e ndërgjegjësimit, për aftësimin digjital dhe sigurinë midis fëmijëve, grave dhe grupeve të tjera të pambrojtura, duke mbështetur shkëmbimin e informacionit dhe praktikave të mira.
Objektivi i përgjithshëm i Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të TikTok është të mbështesë zhvillimin e aftësive digjitale dhe të sigurisë në gjashtë vende: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.
Krasniqi gjithashtu theksoi se Agjenda Digjitale e TikTok për Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë zhvillimin e aftësive digjitale dhe të sigurisë në Shqipëri dhe pesë vende të tjera të rajonit, duke kontribuar në një internet më të sigurt për të gjithë përdoruesit./ ZËRI