TIRANË- Shoqëria "Final" duket se nuk ka mashtruar vetëm qytetarët, por ka tentuar që t'i shpëtojë edhe detyrimeve që i ka shtetit. Prej disa kohësh, kompania që u vendos në sekuestro nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim dhe pastrim parash, nuk paguante detyrimet tatimore. Për këtë ishte vënë në lëvizje vetë Ministria e Financave, duke vënë në dijeni Drejtorinë Rajonale Tatimore. Sipas vendimit të mëposhtëm, të siguruar nga ëebLajm, “Final” rezultonte një biznes me borxhe tek tatimet.
"Regjistrimet tona tregojnë se tatimpaguesi ka paguar në afatin e kërkuar ligjor, detyrimet në vlerën total 897048 lekë,"-shkruhet në dokument.
Po ashtu, i njëjti burim bën me dije se Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet lidhur me mashtrimin e kryer nga kompania "Final" në bashkëpunim me "MCA", e se shumë shpejt pritet që të ekzekutohen të tjerë urdhër arreste edhe për përmbaures që janë marrë me kreditë e këqija. Këta të fundit, edhe pse pa licensë e rrjedhimisht pa të drejtë për të vazhduar detyrën, e kanë ushtruar ilegalisht profesionin e tyre.
Pak ditë më parë, Micro Credit Albania dhe Final, të dyja shoqëritë e mbledhjes së borxheve e kredive të këqija u vendosën nën sekuestro me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale". Megjithatë, deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë "pastruar" përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro. Nga hetimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë "ADCA" dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur dhjetëra milionë euro nga qytetarët. Po ashtu, lidhur me këto kompani, një tjetër ngjarje u shënua gjatë fundjavës. Drejtuesi i studios ligjore "ADCA", Olsi Ibro vendosi që t'i jepte fund jetës duke u hedhur nga një pallat në ndërtim./ZËRI