
PRISHTINË -Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla kanë prezantuar prova të reja të grupit terrorist që kreu sulmin më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Hoxha prezantoi pesë video, që janë nxjerrë nga dronët që ka sekuestruar Policia e Kosovës disa ditë më parë, ku shihet qartë grupi terrorist duke kryer ushtrime të ndryshme në pronat e Radoiçiç në Serbi.
Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha ka shpjeguar me detaje secilën video:
Video numër 1: Janë incizimet e datës 26 gusht ku paraqiten imazhe nga Kopaniku ku shihen resortet e hotel “Grey” që është pronë e Milan Radoiçiçit.
Këto pamje janë nxjerrë nga dronët që policia i ka sekuestruar pas ballafaqimit dhe ikjes së grupit terrorist nga Banjska.
Video numër 2: Incizimet i përkasin datës 2 shtator po ashtu janë pamje në Kopanik afër hapësirave të pronës së Milan Radoiçiçit. Këto imazhe paraqesin testimet e veshjeve të cilat janë me qëllim të mbulimit të temperaturës së trupit respektivisht kamerave termike që posedojnë dronët. Tentativë për të përdorur pajisje të veçantë që mund të mbulojnë snajperistët.
Video numër 3: Janë pamjet e datës 20 shtator, dhe këto janë ushtrimet taktike operative për sulme. Këta ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme, janë të pajisur me armë të gjata, dhe pajisje ushtarake e mjete motorike të blinduara. Sipas pamjeve shihet që grupi ka simuluar sulmin dhe plagosjen e anëtarëve të grupit terrorist.
Në pamje shihet se grupi terrorist ka pasur në përdorim dy automjete të blinduara, të cilat janë në posedim të forcave ushtarake të Serbisë. Këto blinda janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Në këto pamje ka edhe të shtëna me armë të gjata, të cilat gjithashtu janë konfiskuar.
Video numër 4: Në këtë video, e cila është po ashtu e datës 20 shtator, paraqiten pamje ku grupi ka hasur në rezistencë dhe po sulmohet dhe ku simulohet mbështetja me mjete të blinduara. Nga dronët, ekspertët tanë kanë arritur të nxjerrin edhe datat e lokacionet ku janë kryer ushtrimet.
Video numër 5: Në këto pamje po ashtu të datës 20 shtator janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjetet e blinduara kanë ndaluar, vërehet se ka luftime mes grupeve të stimuluara. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak vërehen edhe automjetet e blinduara dhe dyshohet se njëri nga automjetet e konfiskuara nga Policia e Kosovës është përdorur në këtë ushtrim.
“Elemente të tjera që ndërlidhin sektorin e sigurisë së Serbisë, forcave të sigurisë së Serbisë me këtë grup terrorist janë edhe armatimet e sekuestruara nga Policia e Kosovës”, tha Hoxha.
Polici Afrim Bunjaku humbi jetën nga shpërthimi i një mine
Drejtori i Policisë së Kosovës ka deklaruar se rreshteri Afrim Bunjaku ka humbur jetën, pas shpërthimit të një mine. Hoxha tha se qëllimi i Serbisë ka qenë që pikërisht të eliminohen fizikisht policë të Kosovës. “Vrasja ka ndodhur me minë anti-këmbësorike, të detonuar me tele-dirigjues dhe bateri elektrike që është përdorur nga grupi. Kanë vazhduar sulmet me raketahedhës në dhe afër manastirit, diku 300-400 metra nga vendi ku u vra rreshter Afrimi”, tha Hoxha.
Drejtori i Policisë së Kosovës u shpreh se pamjet që prezantoi janë marrë nga kamerat e autoblindave të Policisë së Kosovës. “Momenti i sulmit, dhe hedhjes nga pjesa e epërme edhe pastaj fati ka qenë në anën tonë dhe nuk është qëlluar direkt blinda. Ora 4:21 e mëngjesit. Goditja me zollë”, tha Hoxha duke prezantuar videon e sulmit.
“Kolegët tanë vazhdojnë dhe dalin përtej barrikadës së parë. Makinat anash kanë qenë të policisë që kanë qenë të sulmuara dhe kanë mbetur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha. “Makina është përdorur nga rreshteri Bunjaku dhe një mjet tjetër e njësitit të Policisë kufitare”, tha ai, duke shtuar se për këtë arsye nevojiten njësitet e specializuara.
“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e këtij sulmi ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Pra, nuk u sulmua Policia Speciale sepse nuk ka qenë atje, por patrulla policore e rendit publik”.
“Jemi ballafaquar me kritika të padrejta se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në momentin kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, deklaroi më tej Hoxha.
Sveçla: Mund të jenë vrarë më shumë se 3 terroristë
Ministri i Brendshëm Xhelal Zveçla ka thënë në komunikatën për mediet se aksioni në veriun e Kosovës vazhdon. Zveçla ka hedhur dyshime se numri i të vrarëve në Banjskë mund të jetë më i shumë sesa tre. “Ne jemi akoma në aksion. Nga shërbimet e inteligjencës, më thonë se ka më shumë se tre terroristë të vrarë në Banjskë. Në momentin që do të kemi informacione për më shumë të vrarë, ne do të informojmë”, ka thënë Zveçla.
Ministri Zveçla theksoi se vetë Vuçiç ka deklaruar se numri i serbëve të vrarë në aktin terrorist është katër persona. “Edhe vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë se numri i të vrarëve është katër persona. Informacionet flasin për më shumë të vrarë se tre, por në momentin që do të kemi informacione, ne do i publikojmë, sigurisht”, tha Zveçla.
Deri tani janë ekzaminuar trupat e tre terroristëve që morën pjesë në sulmin terrorist, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Sveçla u shpreh se mbi 90 persona kanë marrë pjesë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Sveçla: Vila e Radoiçiç mund të shfrytëzohet si stacion i njësisë së barkave të policisë
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla ka treguar se për çfarë kanë menduar ta shfrytëzojnë vilën e Milan Radoiçiç, e cila ndodhet pranë Liqenit të Ujmanit.
Zveçla tha se prona e Radoiçiç është ndërtuar mbi tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Ai tha se byppasi i tunelit është uzurpuar nga kompleksi i Radoiçiç.
Zveçla tha se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë që prona t’i kalohet Ministrisë të Brendshme, e pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës si njësit për barkat në Departamentin e Kufirit. /Zëri.ai/